Edhe sot kanë vazhduar reagimet e intelektualëve kundër fushatës së presionit që po i bëhet Shtëpisë Botuese Logos A. Profesori universitar Metin Izeti, e konsideron si sjellje e ulët faktin që një shkollë e idesë fisnike dhe humane, të sulmohet me mjete të psikologjisë së shkatërrimit të vlerave vetëm për kënaqjen e egove individuale ose grupore. Izeti thekson se brenda 25 viteve të veprimit në skenën intelektuale shqiptare shtëpia botuese Llogos-a ka krijuar një identitet të veçantë kulturor dhe artistik, i cili me kalimin e kohës është shndërruar në standard të vetë shtëpisë botuese, por edhe më gjerë.
“Motori i idesë fisnike, që ne sot e gëzojmë si frut që është pjekur ose vazhdon të piqet në kuadër të shtëpisë botuese Logos-A e ka shndërruar atë në fole dhe derë të hapur për të dashuruarit në librin. Më pas rreth asaj foleje janë tubuar intelektualë dhe dashamirë të librit që gjithashtu kanë patur merita për ndërtimin e identitetit pozitiv dhe të sukseshëm të kësaj çerdheje të librit”, ka deklaruar Metin Izeti, profesor universitar.
Profesor Metin Izeti thekson se dëshira esenciale e filozofisë botuese të Shtëpisë Botuese Logos A ka qenë dhe është t’ia përcjellë dhe ta informojë njeriun e nënqiellit tonë për frymën që buron nga thellësia e ekzistencës dhe për pasqyrimin e asaj fryme në përditshmërinë historike, të largët dhe të afërme, si dhe në ndërtimin e një ardhmërie njerëzore.
Ka reaguar edhe profesori tjetër universitar, Musa Musai, i cili vlerëson se është e pakuptueshme që të njolloset një adresë kaq e fuqishme e fjalës dhe librit shqip, siç është Logos A. Sipas tij, secili është i vetëdijshëm se sa e vështirë është të ngritësh një qendër sikur që është Logos-A, që të ketë veprimtari të pashkëputur dekada të tëra, në ekspozimin e autorëve, njerëzve të penës, duke pasur për synim pasurimin e thesarit tonë kulturor dhe identitar.
“Për mua është i papranueshëm çdo një veprim, akt tendencioz i cili do kishte tentuar të nëpërkëmbë punën, qasjen, kontributin e një vatre të kulturës shqiptare dhe thesarit fetar siç është shtëpia botuese Logos-A. Është i pakuptueshëm dhe në dëm të të gjithë neve tentativa për të njollos një adresë kaq të fuqishme të fjalës dhe librit shqip”, ka thënë Musa Musai, profesor universitar.
Reagimet e intelektualëve pasojnë një fushatë të presioneve që po bëhet ndaj Shtëpisë Botuese Logos A nga qarqe të afërta me partitë në pushtet.
Agim Fazliu /SHENJA/
Publicistët për sulmet ndaj Logos-A: Sjellje e… by tvshenjaofficial