Tre prej njëzet gjykatësve administrativ që po shqyrtojnë paditë e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, janë nën hetime për krim zgjedhor, raporton SHENJA. Por, në total janë pesë gjykatës të Administratives të cilët Specialja po i heton për keqpërdorimin e detyrës zyrtare duke bërë manipulime zgjedhore. Konfirmimi vjen nga Prokuroria Speciale. Zëdhënësja e Speciales Lençe Ristovska tha për Televizionin Shenja se personat e dyshuar po hetohen tashmë një kohë të gjatë dhe janë të parët për të cilët ata dhanë njoftimin, paralelisht me rastin “Titanik”.
“Pesë gjykatës të Gjykatës Administrative janë të dyshuar për keqpërdorime zgjedhore. Tre prej tyre po veprojnë tani në paditë e partive. Ata janë pjesë e një hetimi të cilin e hapëm paralelisht me rastin ‘Titanik’. Gjykatësit dyshohen për veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare sipas nenit 353 të Kodit Penal”, tha Lençe Ristovska.
Pesë gjykatësit që sot vendosin për padinë e VMRO-DPMNE-së e cila kundërshtoi vendimin e KSHZ-së për rivotimin në Gostivar janë kryetarja e Këshillit, Esma Alibashiq Jonuz dhe anëtarët Rozalia Koçkovska, Ana Gerasimovska, Tanja Terzieva dhe Elmedine Asani.
Ndërsa për paditë e LSDM-së, fjalën përfundimtare do ta kenë kryetarët e këshillave, Lulzim Saliu dhe Mustafa Shahini. Anëtarët Nada Ivanova, Edita Naskovska, Snezhana Tërpovska, Ismeta Amet, Daniella Antovska,Dimitrulla Apostollovska, Biljana Nikodinovska Petrovska dhe Gabriella Mihajllovska.
Sipas nenit 353 të Kodit Penale, varësisht nga dëmi i shkaktuar, gjykatësit mund të dënohen me të paktën pesë vjet burg.
Ferikan Iljazi /SHENJA/
PSP për TV SHENJA: Tre gjykatës të zgjedhjeve… by tvshenjaofficial