Këshilli i prokurorëve publik deri në fund të vitit do të thirr mbledhje ku do të vendos nëse rasti “Sopoti” do t’i takojë Prokurorisë Speciale Publike ose jo. Këtë e konfirmoi vetë kryetari i këtij këshilli, Petar Anevski.
“Deri në fund të këtij muaji do të thirret mbledhja në të cilën do të vendosim për lëndën “Sopoti”, u shpreh Petar Anevski, Kryetar i Këshillit të prokurorëve publik. Meqenëse Prokuroria Publike nuk iu përgjigj PSP-së dhe lëndën e dërgoi në Këshillin e prokurorëve dhe përderisa afati 8 ditor i garantuar me ligj ka skaduar prej kohësh, PSP me ligj e ka të garantuar të kërkojë ndihmë dhe bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Këshilli i Prokurorëve publik përbëhet nga 11 anëtarë. Që lënda të kalojë në duart e Katica Janevës, nevojiten 6 vota pro. Deri më tani nënkryetari i këshillit Arbër Isaku dhe anëtari Mexhit Jusufi kanë dalë me qëndrimin se lënda “Sopoti” duhet t’i jepet PSP-së. Prokuroria Speciale Publike më 4 nëntor kërkoi nga Prokuroria publike lëndën “Sopoti” me qëllim që të vërtetohet nëse e njëjta mund të jetë pjesë e hetimeve të PSP-së ose jo. Kërkesën e saj specialja e bazon në Nenin 2 paragrafi 1 dhe Nenin 11 paragrafi 2 të ligjit për Prokurorinë Speciale.