PPS-ja është duke i analizuar materialet e marra gjatë bastisjeve të djeshme në zyrat dhe shtëpitë e njerëzve të cilët dyshohen për dhënien e sekretit zyrtar, deklaroi sot prokurorja speciale publike, Katica Janeva.
E pyetur nëse të dhënat e marra nga ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, tregojnë se janë shfaqur informacione për presidentin, Gjorge Ivanov para vendimit të tij për abolim, Janeva tha se nuk mund të komentojë sepse ende janë duke u analizuar.
“Nuk mund të konfirmoj asgjë sepse në këtë moment të dhënat që janë marrë ende po analizohen. Pasi të analizohen në interes të procedurave tona do të informoheni. I pashë shkrimet në rrjetet sociale, atë aspak nuk mund ta konfirmoj, ato janë vetëm spekulime dhe supozime”, deklaroi Janeva.
Theksoi se me asistencë të MPB-së mbrëmë është bërë bastisje në shtëpitë e tre personave për të cilët kanë pasur urdhra, si dhe bastisje personale të Pançevskit.
“Mbrëmë u mblodhën ekipet dhe policia jonë në lidhje me bastisjet. Mbrëmë dhe sot po përpilohen procesverbale dhe gjithçka që është marrë do të dorëzohet deri te Prokuroria. Mendoj se atë që e kërkuam dhe gjetëm në shtëpitë e kemi marrë. Nëse është gjithçka që duhet nuk mund të them”, tha Janeva.
Katica Janeva sot mori pjesë në debatin “Dyshimi në dobi të të pandehurit – fajtor përtej dyshimit të arsyeshëm” në organizim të Shoqatës për të drejtën penale dhe kriminologji të Maqedonisë dhe misionit të OSBE-së në Shkup.

