Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, sot është takuar me ambasadorin e Norvegjisë në Shkup, Arne Sannes Bjornstand, me të cilin, sipas njoftimit të partisë, është biseduar për procesin e formimit të Qeverisë në Maqedoni.
Shekerinska, qëndron në kumtesën partiake, ku informon se bisedimet me partitë të cilët priten të jenë pjesë e shumicës parlamentare, janë në fazën finale.
“Bisedimet për të gjitha çështjet po zhvillohen vetëm në bazë të Kushtetutës, për këtë ka pajtueshmëri nga të gjitha palët. Presim që Maqedonia në kohë sa më të shpejtë të ketë Qeverinë e re”, ka deklaruar Shekerinska.
Sipas saj, Qeveria e re do të jetë reformatore dhe do të mundësoj zbatim të reformave urgjente nga Raporti i Pribesë dhe Marrëveshjes së Përzhinos me qëllim që të sigurohen institucionet e pavarura, që do të punojnë në interes të qytetarëve dhe perspektivës euroatlantike të vendit.
Sipas gjitha gjasave, në rast të formimit të qeverisë së re, partitë pjesëmarrëse të koalicionit do të jenë LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqipëtarët, meqë ditëve të fundit ka takime intenzive ndërmjet këtyre partive.
Këtë lloj të negociatave e ka komentuar edhe ish kryeministri i vendit dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Sipas tij Zoran Zaev së bashku me Ali Ahmetin dëshirojnë të defaktorizojnë popullin maqedonas dhe të ridefinojnë shtetin.
“LSDM-ja dhe BDI-ja dëshirojnë të bëjnë defaktorizim të popullit maqedonas. Ajo që ndodh tani tregon se LSDM-ja është e vendosur që ta ridefinojë Maqedoninë, por duhet të potencoj se OBRM-PDUKM-ja do të qëndrojë fuqishëm si mbrojtëse e interesave shtetërire dhe kombëtare”, deklaroi sot kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, duke vlerësuar situatën e bisedimeve për formimin e qeverisë së re.
“I tregojmë të gjithëve që dëshirojnë të luajnë me interesat kombëtare dhe shtetërore, se në këtë shtet ka të tjerë që mendojnë për ata interesa dhe që janë të gatshëm të luftojnë për interesat kombëtare dhe shtetërore”, u shpreh Gruevski.
Ai gjithashtu deklaroi se këto situatat që po ndodhin tani i ka paralajmëruar se do të vijnë.
Mirëpo një gjë nuk është e qartë, pse Gruevski akuzon Zaevin dhe Ahmetin për ridefinim të shtetit, ndërkohë që në negociatat për formimin e qeverisë së re mungon Lëvizja BESA, e cila gjatë gjithë fushatës zgjedhore ka proklamuar ridefinimin e shtetit.
Pse Gruevski nuk përmend federalizimin e shtetit, ku ndoshta do ishte më e arsyeshme duke pasur parasysh faktin që Aleanca për Shqipëtarët në krye me Ziadin Selën janë ideatorët e federalizimit të shtetit.