BEKIM QOKU
Në krye të herës duhet ringritur kryeçashtjen e këtyre trojeve, çashtjen shekspiriane: ‘me qenë a mos me qenë’, kjo asht ç’asht-ja.
Nëse për të shpjeguar si alegori bashkëjetesën e shqiptarëve dhe maqedonasve nëpërmjet bashkëshortësisë, do të bëhej fjalë për një bashkëshortësi e dështuar që në fillim. Kjo bashkëjetesë e dy partnerëve është një sforcim pervers nga ana e disa pushteteve politik apo ekonomik brenda e më shumë jashtë saj, e rrjedhimisht një torturë pa mbarim. Dikush do që me çdo kusht, natyrisht për përfitim vetjak ose të paktën për të mos prishur rehatinë e vet, që ne, bashkë-shortët, pra shqiptarët dhe maqedonasit, shiptari dhe kaurrë, të mbyllim sytë e veshët, për hatër dhe për nderin e ‘farefisit e të miqve’ të shtrëngojmë dhëmbët e të vazhdojmë bashkëjetesën tonë bashkëshortore.
Popujt e vegjël e të mjerë si tanët me vetëm instinktin për mbijetesë kanë integruar në karakterin e tyre kulturor e tradicional hipokrizinë, ashtu siç ajo edhe ka lindur, pra duke aplikuar standarde të dyfishta, njërin karshi më të madhit e më të fortit, atë të inferiorit, e tjetrin karshi të voglit e të dobëtit – kryesisht të sojit së vetë – atë të superiorit.
Reciprociteti? – një koncept thuajse i huaj, shpesh blasfemik. (Kozmopolitët lëvdohen e krenohen se ne jemi popull postmodern, dekonstruktivist. Jemi asimetrik, thonë. Se ne jemi popull paqedashës dhe jo pushtues, aspak agresiv. Se ne i duam të gjithë. Ne jemi gati-gati si engjujt – jo-tokësor.
Ashtu siç fatalistët predikojnë që dy njerëz bëhen fatalisht bashkë, ashtu edhe dy popuj rrojnë fatalisht bashkë. Për fat të keq. S’kemi ç’i bëjmë. Apo kemi? Fatalistët thonë jo, s’kemi, volunteristët natyrisht po. Faktet sociologjike pohojnë se sa më i varfër dhe i pacivilizuar e primitiv është një subjekt mendues, qoftë individ, qoftë grupacion, aq më shumë priret t’i nënshtrohet fatalizmit. Dhe natyrisht e kundërta. Në këtë linjë, gjermanët si popull i vullnetit thanë po, do bashkojmë Gjermanitë, le të mërziten e shqetësohet ‘farefisi’ apo ‘miqtë’. Ndërkaq neve… eh ne! Ne si ato kalamajtë e përhumbur dhe naive nga prindër dembel e injorant, të këputur po se po, i lihen për thuajse hiç gjë tjetrit të përdoren e shfrytëzohen si rob. Ato edhe shfrytëzohen çnjerëzisht nga tjetri për vite e vite me radhë. Përpjekja e vetme që bëhet është se si ta kamuflojmë këtë eksploatim, si t’i vëmë një maskë të pranueshme mbi fytyrën e çjerrë e të rënë nga vuajtja. Si ta ëmbëlsojmë pamjen që mos të tmerrohemi kur shihemi sy më sy.
Përderisa ne shënojmë rënien e murit të Berlinit dhe festojmë bashkimin e dy gjermanive, quajmë mendim blasfemik dhe demode idenë e shkëputjes nga kthetrat hegjemoniste sllave dhe bashkimin familjar.
Është vërtet një proces i vështirë. Sepse gjërat para se të realizohen, duhet të piqen njëherë si mendim. Zgjidhja gjithmonë ndodh së pari brenda kokës, pastaj jashtë saj.
Politikë është një veprim impersonal, efekti i të cilit sheh të paktën 20 vjet tutje. Tjetra është vetëm menaxhim resursesh për qëllime më së shumti anuale, nga buxheti në buxhet. Është një politikë e përçudnuar, e bartur nga një mendësi nomade, sot-për-nesër.
Nëse mendojmë politikisht, nëse kemi një vizion për 20, 30 apo 50 vitet e ardhshme, të gjithë do jemi dakord se një vazhdim bashkëjetese i imponuar me sllavët është nëse jo e pamundur, është dërrmuese dhe aspak e lumtur.
Deri tani, qysh nga pavarësia e saj, kanë qenë paradoksalisht shqiptarët ata që kanë mbrojtur dhe ruajtur integritetin territorial të Maqedonisë. Një Maqedoni ku shqiptarët janë konsideruar si morra jorgani, ndërsa të zotit për qëllim kanë patur të djegin këto morra pa marrë parasysh pasojat. Dhe si aktualitet kemi një truall të djegur e të djerrë pa kushte jetese, për ç’arsye edhe arratisja dhe braktisja e qytetarëve pa shpresë.
Është nisur si gënjeshtër, ndërsa tani kjo gënjeshtër ka arrirë stadin bindjes mainstream e ligjërimit elitar politik dhe secili që mendon ndryshe na del që të jetë armik i kësaj ideje.
A është blasfemike sot që të risjellësh çështjen e bashkëjetesës pa-perspektivë e të mundimshme mes dy popujve që gjithë kohës këqyren përmes tytës së pushkës, duke bërë kurban mirëqenien dhe shpresën e tyre vetëm për hir të rehatisë dhe të “ardhmes” europiane të miqve dhe farefisit?!