Një grup qytetarësh të Tetovës dhe aktivistë të sektorit civil kanë protestuar para deponisë së egër në hyrje të qytetit ku mes tjerash kërkuan zgjidhe të përhershme për dislokimin e deponisë. Nga Lëvizja “Eco Guerilla”, të cilët ishin edhe organizatorë të protestës, apeluan deri te organet e drejtësisë që të ndjekin penalisht personat që i vunë zjarrin deponisë, por edhe autoritetet lokale që kanë krijuar deponinë.
ARIANIT XHAFERI, “ECO GUERILLA”
“Vlerësojmë se zjarri që ndodhi këtu të shtunën ishte pasojë, sepse shkaku është vet deponia e cila ka qenë këtu për vite me rradhë, si pasojë e neglizhencës dhe mosinteresimit të autoriteteve për ta larguar atë. Kërkojmë urgjentisht nga institucionet kompetente që të nxjerin para drejtësisë personat përgjegjës të cilët përmes veprimeve të tyre kriminale e rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Gjithashtu, kërkojmë nga organet kompetente që të hetojnë edhe autoritet komunale, këto të sotmet dhe ato të kaluarat të cilat kanë kontribuar në ngritjen dhe rritjen e kësaj deponie”
Protestuesit më pas iu drejtuan objektit të Komunës së Tetovës ku në hyrje vendosën edhe afishe me përmbajtje të kodit penal për të rikujtuar udhëheqësit komunal për përgjegjësinë penale dhe dënimin që pason për mossigurimin e një ambienti të pastër për qytetarët.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm autoritet komunale kanë ndërmarrë edhe aksion për largimin e mbeturinave nga deponia ilegale, por ky operacion do të zgjasë disa ditë. Arben Zeqiri /SHENJA/

