Banorët e fshatit Poroj të Tetovës në një protestë paralajmëruese, shprehën revoltën e tyre, për siç thonë ata, mospërfilljen e pushtetit lokal dhe atij qëndror, për ta pastruar shtratin e lumit, pas vërshimeve të muajit qershor. Njëri nga protestuesit, Sulejman Ramadani tha se ndjehen të zhgënjyer pasi thonë se nuk është pastruar as edhe shtrati i lumit që për ta paraqet rrezik akoma më të madh, ndërkohë që edhe nga pushteti lokal por edhe ai qendror, kanë marrë premtime se do të merren masa afatgjate për pengimin e vërshimeve të mundshme në të ardhmen.
SULEJMAN RAMADANI, BANOR
“Gjendja momentale është shumë më e rrezikshme se sa para vërshimeve, ju ftoj juve mediave që të vini ta shikoni shtratin e lumit në qendër të fshatit ku do të vërtetoheni se nëse ndodh edhe një vërshim si ai i muajit qershor, mund ta përmbys fshatin Poroj dhe Xhepçishtë. Nëse ndodh diçka e tillë nuk do të përballemi vetëm me dëme materiale, por mund të kemi edhe viktima në njerëZ. Siç e dini për disa ditë fillon edhe viti shkollor dhe ne i kemi fëmijët në rrezik. Kurse nëse e vizitoni fshatin Gjermë atje gjendja është edhe më e frikshme”
Ramadani, tha se ata nuk kërkojnë lëmoshë, por vetëm kërkojnë që autoritetet përgjegjëse të kryejnë punën e tyre për të cilën ata janë zotuar vetë.
SULEJMAN RAMADANI, BANOR
“Fshati është ndarë në dy pjesë, ura që lidhte të dy pjesët e fshatit është sanuar vetëm për të kaluar në këmbë, por jo për automjetet. Kjo gjendje e vëahtirëson qarkullimin e qytetarëve nga njëra anë në anën tjetër të fshatit. Vërshimi i lumit e mbylli tër sisht rrugën rajonale Tetovë- Jazhincë dhe secilën herë që vërshon, e bllokon këtë rrugë. Dëmshpërblimi i bujqëve as nuk ka filluar si proces, kurse vjeshta është në prag”
Banorët thonë se kanë dërguar kërkesa edhe tek kryetarja e komunes edhe tek kryeministri, megjthatë akoma nuk kanë marrë përgjigje. Ata thonë se nëse nuk do të merren masat e nevojshme do të vazhdojnë edhe më tej protestat.
Kujtojmë se kryeministri Zoran Zaev së bashku me kryetaren e Komunës së Tetovës, pas vërshimeve të tetorit vizituan rajonet e prekura nga vërshimet. Ata premtuan se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të sanuar dëmet, si dhe masa afatgjate për të parandaluar vërshime të tjera në të ardhmen. Ajnur Bafqari

