Ka arritur në pesë numri i personave të arrestuar nga protesta e djeshme në Tetovë. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë konfirmuan se dy persona u ndaluan nga policia gjatë ditës së djeshme, një mbrëmë dhe dy të tjerët sot paradite.
SPB Tetovë
“Personat janë mbajtur në stacionin policorë në Tetovë. Tre persona janë nga Tetova, një nga Kërçova dhe një nga fshati Veshallë i Tetovës. Të njejtit do të dërgohen gjatë ditës para prokurorit publik për procedurë hetimore paraprake”.
Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Tetovës u mbajt protestë në të cilën kërkoheshte përgjegjësi për tragjedinë me zjarrin në spitalin e modeluar, ndërsa një pjesë e protestuesëve u ndeshën edhe me forcat policore. Gjatë protestës 4 policë morën lëndime të lehta. Deri tek ndeshja me forcat e rendit erdhi pasi një pjesë e protestuesëve u munduan që të depërtojnë deri tek selia e Bashkimit Demokratik për Integrim, ndërsa paraprakisht gjuajtën me vezë drejtë objektit të komunës së Tetovës.
Përndryshe, para disa ditësh në Tetovë u dogj spitali i modeluar në të cilin po trajtoheshin pacientët me Covid dhe nga kjo fatkeqësi mbetën të vdekur 14 persona. Shkaqet që e shkaktuan zjarrin ende nuk dihen, ndërsa Prokuroria ende po i vazhdon hetimet. Dy përgjegjësit kryesorë të dikasterit të shëndetësisë Venko Filipçe dhe Ilir Hasani ofruan dorëheqjen, mirëpo ajo ende nuk është pranuar nga kryeministri, nën arsyetimin se po presin që fillimisht të përfundojnë hetimet mbi spitalin e shkrumbuar.