As pop-këngëtarja e famshme kroate Severina Kojiq nuk i shpëtoi grepit të lajmeve të rreme për protestat e djeshme anti-emrit para Kuvendit. Një foto e saj e përdorur për në videoklipin kundër dhunës ndaj grave, është publikuar në disa profile në rrjetin social fejsbuk, e që është shpërndarë më vonë edhe nëpër portale në formë të lajmit.
Por këngëtarja nuk ishte imazhi i vetëm që u përdor nga këto portale. Shumë fotografi të personave që nuk janë nga Maqedonia janë përdorur për të bërë pretendime të rrejshme për dhunë policore.
Në një rast tjetër, fotografia shihet qartë që është e postuar në vitin 2015, ndërsa e njëjta është postuar kinse ka ndodhur në protestën e djeshme.
E një tjetër qytetar kishte vendosur të përdorë këtë foto të një gruaje të lënduar nga një shishe birre në Dublin, e në post të shkruaj kinse policia i ka “çarë” kokën e siç e quan Martinës së re, vetëm sepse e ka dashur mëmëdheun e saj.
Pati edhe doza të shtuara satire. Një qytetar ka postuar një foto të aktorit hollivudian Silvester Stallone duke ironizuar se edhe ai është rrahur nga policia.
Nga ana tjetër Këshilli për etikë në Media ka reaguar për përhapjen e spekulimeve, raportimit të njëanshëm dhe informacionet e pavërteta që shpërndahen në publik.
Marina Tuneva nga Këshilli për Etikë në Media thotë se nga lajmet e rrejshme përfitojnë grupe të caktuara dhe pas informatave të caktuara mund të qëndrojnë grupe të caktuara të interesit.
“Nuk mund të dihet kush qëndron ndaj informatave të tilla, por është shumë e qartë kur ato informata janë të përcjella në mënyrë që nuk informohet në mënyrë të barabartë, nuk merren më shumë perspektiva dhe shihet se ka një motivim të caktuar që qëndron mbrapa informimit të tillë”, tha Marina Tuneva, Këshilli për Etikë në Media.
Dukuria e lajmeve të rrejshme ishte pikërisht arsyeja që bëri vendin tonë të jetë temë bisede në nivel global dhe vetë numri një i fejsbukut, Mark Zukerberg deklaroi se ka mbyllur qindra mijëra profile të rrejshme të fejsbukut nga Maqedonia.
Përgatiti: Bajram Memeti