Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Haitit në kohën kur në këtë shtet po mbahen protesta të dhunshme kundër presidentit Jovenel Moise.
Protestuesit u futën në një stacion policor, vodhën mallra në dyqane dhe i sulmuan bankat në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke qëlluar në ajër.
Mungesa e karburanteve, rritja e çmimeve dhe dyshimet për korrupsion në qeveri kanë nxitur protesta që po vazhdojnë qe disa javë.
Presidenti i vendit e anuloi fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara këtë javë për të bërë thirrje për qetësim të gjendjes.
Megjithatë, fjalimi i tij të mërkurën e kaluar nuk ndikoi në ndaljen e dhunës në njërin nga shtetet më të varfra në kontinentet e Amerikës Veriore dhe Jugore.
Katër persona kanë vdekur ditëve të fundit për shkak të dhunës, ndërsa protesta e së premtes ishte një ndër më të dhunshmet.
“Njerëzit po marrin gjithçka që po munden për t’i bërë shtëpitë e tyre më të mira, sepse janë të lodhur nga uji që hyn në to sa herë që bie shi”, tha një protestues.
Më parë gjatë këtij viti, presidenti i kishte refuzuar thirrjet për dorëheqje, duke thënë se nuk do ta lërë vendin në duart e bandave të armatosura dhe trafikuesve të drogës, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.




