Me projekt buxhetin për vitin 2018, qeveria parasheh 35.7 milion euro për procesin e gazifikimit. Siç tha sot kryeministri Zoran Zaev, kjo është rreth 5 milionë euro më shumë se një vit më parë, përcjell Almakos.
Plani është që të investojë në ndërtimin e një rrjeti në Prilep, Manastir, Gostivar dhe Tetovë.
Nga buxheti janë ndarë edhe 10 milionë denarë për rroga, qira të objektit të tanishëm dhe nevojave tjera, ndërkaq projekti ideor pritet që të mbarojë në fund të vitit 2017.
“Gazifikimi vazhdon aty ku ka mbetur. Ne do të furnizojmë Maqedoninë me tuba në të gjitha anët. Një pjesë e parave do të investohen për shpronësim, dhe një pjesë për tubacione. Investitorët gjithashtu do të ftohen të marrin pjesë në partneritetet publike private”, tha ai.
200 milionë denarë apo rreth 3 milionë e 252 mijë euro janë ndarë për ndërtimin e objektit të universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, këtë e deklaroi sot në konferencë për shtyp kryeministri Zoran Zaev, gjatë prezantimit të propozim – buxhetit për vitin 2018.
“Për universitetin “Nënë Tereza” janë paraparë 200 milionë denarë për ndërtim të objektit, nisjen dhe realizimin e fazave fillestare, por është lënë hapësirë që nëse ka nevojë për buxhet shtesë i njëjti do të jepet varësisht nevojës”, tha Zaev.
Zaev njoftoi ndryshime dhe në prokurimet publike dhe institucionet. Nga dhjetori i parë, tha ai, çdo marrëveshje nga një institucion shtetëror mund të realizohet vetëm nëse publikohet së pari në faqen e internetit të institucionit.
“Qëllimi është që shpenzimet e parave publike të bëhen më transparente. Në prokurimet publike ekziston një mundësi e madhe për korrupsion dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta zvogëluar atë. Angazhimi ynë i përhershëm është lufta kundër korrupsionit. Dhjetëra miliona euro mund të ruhen në këtë mënyrë” – tha ai.
Të ardhurat buxhetore parashikohen në 3.1 miliardë euro ose 4.7 për qind më të larta se buxheti për vitin 2017, ndërsa shpenzimet buxhetore janë 3.4 miliardë euro ose 4.1 për qind më të larta.
“Ne plan janë për të rritur të ardhurat buxhetore duke rritur akcizën. Paratë do të përfundojnë në investime kapitale për arsim, shëndetësi, komuna dhe segmente të tjera të rëndësishme. Qëllimi ynë nuk është rritja e borxhit publik shtesë. Dua të përmend se rritja e akcizës është minimale në raport me rekomandimet evropiane” – tha Zaev.
Deficiti në projekt-buxhetin është parashikuar në një nivel më të ulët se në vitin e kaluar, ose 2.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe qeveria parashikon një rritje të PBB-së prej 3.2 për qind. Zaev thotë se deficiti do të financohet nga borxhi në tregun e brendshëm dhe të huaj, dmth duke lëshuar një eurobond të ri./Almakos

