Informimi nënkupton se parashtrohen pyetje, se analizohet, se gjërat vendosen në kontekst, se ndiqet një vijë e caktuar e zhvillimit, se rishqyrtohen gjërat, se kërkohen informata plotësuese…
Sipas nenit 2 të Ligjit për medie,
Mediat janë mjete për informim publik, përkatësisht çfarëdo qoftë lloj komunikimi si gazeta, magazina, programe të radios dhe televizionit, publikime elektronike, teletekst dhe mjete tjera për shpallje ditore ose periodike të përmbajtjeve të formuluara redaktuese në formë të shkruar, zë ose fotografi, me qëllim që të informohen dhe të përmbushen nevojat kulturore, arsimore dhe të tjera të publikut më të gjerë.
Mediat nuk janë buletine, katalogë, forma tjera të publikimeve, pavarësisht nga mjeti për publikim, të dedikuara vetëm për shpallje, sistemin arsimor ose për korrespodencë afariste, për punën e shoqërive tregtare, institucioneve, shoqatave, partive politike, organeve shtetërore dhe gjyqësore, ndërmarrjeve publike, personave juridikë me autorizim publik dhe organizatave fetare.
Informimi nënkupton se parashtrohen pyetje, se analizohet, se gjërat vendosen në kontekst, se ndiqet një vijë e caktuar e zhvillimit, se rishqyrtohen gjërat, se kërkohen informata plotësuese..
Kjo do të thotë se kur një informatë transmetohet në mënyrën e njëjtë ashtu siç është thënë nga një parti e caktuar politike (gjegjësisht e gjithë përmbajtja merret nga njoftimi i një partie politike, veçanërisht kur ajo përmbajtje paraqet reklamë për atë që e ka bërë ajo parti politike ose ndonjë organ shtetëror që udhëhiqet nga ajo parti), kur nuk parashtrohen pyetje në lidhje me përmbajtjen e një publikimi të këtillë dhe kur ka mungesë të analizës kritike të asaj që është thënë (përballja e mendimeve dhe argumenteve të ndryshme), gjasat janë të mëdha se kemi të bëjmë me një situatë në të cilën media nga mjet për informim është shndërruar në buletin të një partie të caktuar politike.
Si shembull i rrezikut që media të shndërrohet në buletin partiak, gjegjësisht shtetëror, mund të merret raportimi për investimet e reja të huaja që vijnë në Republikën e Maqedonisë që është bërë në disa medie
Nënshkruhet marrëveshja: Investimi i ri hap 1.000 vende të reja
Gruevski: Kompania gjermane “Kostal” fillon me punë – 1.000 punësime të reja në Ohër dhe rrethinën e Ohrit
Gruevski: Lajmi i ri i mirë – investim i ri, punësime të reja
Paralajmërim për investim të ri me 1.500 punësime në Strumicë
Gruevski: investin i ri me 300 punësime në Krushevë
Gruevski merr pjesë në nënshkrimin e kontratës për investim dhe vende të reja të pynës me kompaninë amerikane “Delfaj“
Gruevski e bëri publik investimin e ri gjerman: Маqedonia vazhdon përpara
Me secilin prej këtyre artikujve, media konkrete në vend që ta informojë publikun, e ka pranuar rolin e publikuesit të porosive të një partie politike, gjegjësisht është shndërruar në mjeti informimi të asaj partie.
Çka mungon që tekstet e mësipërme të bëhen informata në vend të njoftimeve partiake?
E para, mungojnë pyetjet në lidhje me të dhënat kryesore që ofrohen në këto tekste. Për shembull: në çka është bazuar numri i projektuar i punësimeve të mundshme dhe periudha kohore që është e lidhur me këtë projektim? Cila është prapavija e secilit nga bartësit e investimit? A ka pasur ndonjë mundësi tjetër që të ristartohen uzinat e vjetra, përveç asaj që u janë dhënë investuesve të huaj?
E dyta, mungojnë pyetjet që kanë të bëjnë me kushtet nën të cilat është nënshkruar kontrata me qeverinë e Maqedonisë. Për shembull: a do të marrë pjesë qeveria e Maqedonisë edhe në këto investime (sikurse në shumë investime të mëparshme) në formë të lirimit nga pagesa e taksave ligjoreqë kanë të bëjnë me sigurimin social dhe shëndetësor të punëtorëve? Në çfarë mënyre janë definuar obligimet ndaj punëtorëve (të punësuarve), obligimet ndaj shtetit dhe sanksionet në rast të shkeljes së marrëveshjes?
E treta, mungon analizë e këtyre investimeve të reja, e vendosur në kontekst të investimeve të deritanishme dhe krahasim me rezultatet e investimeve të mëparshme, që janë paralajmëruar në mënyrë të njëjtë.
E katërta, mungon analizë e efekteve (afatshkurte dhe afatmesme) e investimeve të mëparshmi mbi ekonominë e Maqedonisë dhe nivelin e punësimit në Republikën e Maqedonisë dhe e përvojave negative dhe mënyrat në të cilat këto investime të reja do t’i adresojnë dhe do t’i evitojnë problemet e konstatuara që ndërlidhen me investimet që vijnë nga jashtë.
E pesta, mungon verifikim elementar i të dhënave të publikuara dhe vendosja e tyre në kontekst të deklaratës në tërësi.
Për shembull, me titullin “МIZO: INVESTIMET E HUAJA KRIJUAN 17.000 VENDE TË REJA TË PUNËS” është dhënë deklarata e drejtorit të Drejtorisë për zonat zhvillomore teknologjike industriale, Viktor Mizo:
“Drejtori i Drejtorisë për ZZHTI, Viktor Mizo, në diskutimin “160.000 vende të reja pune” theksoi se investimi i kompanive të huaja ka ndikuar në zvogëlimin e papunësisë.
Zvogëlimi i papunësisë prej 38 në 24 për qind është shumë i rëndësishëm, theksoi Mizo dhe shtoi se pastaj do të pasojë edhe rritje e rrogave.
Ai theksoi se kompanitë e huaja deri tani kanë krijuar 17.000 vende pune, ndërsa deri në fund të vitit, pritet që ky numër të arrijë edhde deri në 18.000″.
Që kjo deklaratë të bëhet informatë, e jo reklamë, media që e ka transmetuar është dashur të kërkojë përgjigje në pyetjen se numri prej 17.000 vendeve të punës a është numri i përgjithshëm i vendeve të punës që janë realizuar si rezultat i investimeve të huaja, apo vetëm për një vit. Në qoftë se bëhet fjalë për numrin e përgjithshëm të të punësuarve si rezultat i investimeve të huaja, parashtrohet pyetja sa është numri i këtyre njerëzve që akoma janë në punë, e sa vetë nuk punojnë më? Cila është mbrojtja e të drejtave të punës së punëtorëve që janë në punë? Sa janë rrogat, dhe çfarë shumash ndahen nga buxheti për këta të punësuar? Cili është dhe sa është fitimi i investuesit të huaj?…
Askush nuk e konteston nevojën dhe mundësinë që partitë politike të kenë buletine të tyre, nëpërmjet të të cilave do t’i plasojnë programet e tyre, do të prezantohen para qytetarëve dhe do t’i propagandojnë aktivitetet e tyre. Mirëpo, qytetarët nuk guxojnë të mashtrohen dhe të mendojnë se marrin informatë, e në vend të kësaj – marrin porosi propaganduese.
Askush nuk e konteston gjendjen faktike kur mjete të caktuara të informimit janë më të afërta me ndonjë opcion të caktuar politik. Mirëpo, ka standarde minimale që duhet të plotësohen që një tekst të mund të pranohet si informatë, e jo si porosi propaganduese. Në mungesë të këtyre standardeve minimale, bëhet fjalë për dezinformim të vetëdijshëm të qytetarëve.
Mashtrimi i qytetarëve është i “çimentuar” për faktin se një sërë nga këto mjete të informimit janë të regjistruara dhe paraqiten si “medie”, e madje dhe me “koncesion nacional”. Nga ana tjetër, edhe mediet dhe gazetarët e vërtetë në paraqitjet e tyre këto mjete partiake të informimit i quajnë “medie”, edhe pse janë ose do të duhej të ishin, në bazë të nenit 2, paragrafi 2 i Ligjit për medie, të jenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për qendra propaganduese. Dhe nuk guxojnë të kenë mëdyshje që gjërat t’i emërtojnë në përputhje me gjendjet faktike. Apo, duke iu përgjigjur sulmeve nga mjetet partiake të informimit – edhe vetë të bien në atë nivel.
Propaganda nuk është njësoj me informimin – për porositë propaganduese duhet paguar.