Rreth 15.000 persona të papunë do të kenë mundësi të hyjnë në tregun e punës përmes programeve dhe masave aktive të punësimit të parashikuara nga Plani Operativ për vitin 2022, i cili u promovua sot nga drejtori i Agjencisë së Punësimit, Bekim Murati, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në RMV, Aremen Grigorjan.
Drejtori i Agjencisë së Punësimit, Bekim Murati, theksoi se masat dhe programet aktive që do të zbatohen në vitin 2022 janë aktivitete të qëndrueshme dhe të dëshmuara për përmirësimin e gjendjes së tregut të punës që zbatohen me sukses në vendet e zhvilluara të Europës.
“Programi më i kërkuar nga ana e personave të papunë – Vetëpunësimi, këtë vit është pjesë e Planit Operativ dhe për shkak të interesimit të madh për të, këtë vit është siguruar mbulimi më i lartë deri më tani, gjegjësisht ofrohet mbështetje financiare për hapjen e biznesit vetanak për 2000 persona. “Përkrahja financiare për një person që të hapë biznesin e tij është 307.500 denarë ose deri në 615.000 denarë nëse themelohet person juridik prej dy ortakësh”, tha Murati.
Ky Plan Operativ përmban edhe masa që ofrojnë mbështetje për hapjen e vendeve të reja të punës që do të ndikojnë në nxitjen e punësimit të personave të papunë në ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, siç janë masat Subvencionimi i pagave dhe Punësimi dhe rritja e personave juridik,masa aktive këto përmes të cilave është planifikuar punësimi i drejtpërdrejtë i 1790 personave të papunë. Fokusi kryesor është ofrimi i mbështetjes për punësimin e personave që më mevështirësi futen në tregun e punës, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe të rinjtë e moshës deri në 29 vjeç. Fondi i Posaçëm ofron mbështetje për punësimin e drejtpërdrejtë të 350 personave me aftësi të kufizuara. Pjesë e Planit Operativ për vitin 2022 janë edhe trajnimet që synojnë përmirësimin e aftësive dhe kualifikimeve të personave të papunë për integrimin e tyre sa më të suksesshëm në tregun e punës.
“Përmes trajnimeve për kualifikime profesionale sipas kërkesës së punëdhënësve dhe trajnimeve profesionale sipas kërkesës së punëdhënësve, 350 persona të papunë do të kenë mundësi të marrin kualifikimet e kërkuara në tregun e punës, ndërsa përmes trajnimeve për profesionet e kërkuara, 500 persona të papunë do të fitojnë aftësi të cilat do t’i bëjnë ata më konkurrues dhe do të rrisin mundësitë e tyre për punësim. Ky Plan Operativ përmban edhe Trajnimet për Zhvillimin e Aftësive Dixhitale që janë krijuar për të përmirësuar aftësitë e personave të papunë në fushën e teknologjive informatike, për rritjen e konkurrencës dheintegrimin më të shpejtë të tyre në tregun e punës, me ç’rastdo të përfshihen 424 persona të papunë, të rinj të moshës deri në 34 vjeç.”- theksoi Murati.
Drejtori i APRMV-së, Bekim Murati, paralajmëroi se shpalljet e para publike për programin Vetëpunësimi, Punësimi dhe Rritja e Personave Juridik dhe Praktika, do të publikohen më 5 prill, ndërsa pjesa tjetër e programeve dhe masave do të shpallen në faza sipas një plani të definuar paraprakisht. Ai u bëri thirrje të gjithë personave të papunë dhe punëdhënësve që përmes 30 Qendrave të Punësimit, ueb-faqes së APRMV-së dhe rrjeteve sociale të institucionit, të informohen në kohë dhe të aplikojnë për programet dhe masat që janë në interes të tyre, thuhet në komunikatën me shkrim të lëshuar nga ana e Agjencisë për Punësim në RMV.



