Shtatë persona janë arrestuar në Kosovë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve që publikoheshin në grupin “Albkings”, i cili funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim të shqetësimit dhe ngacmimit seksual. Këtë e ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullaj Gashi, duke njoftuar edhe për mbylljen e këtij grupi.
“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryerësit e veprës penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve nga neni 277 të Kodit Penal të Kosovës. Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Republikës së Kosovës kemi arritur që këtë rast delikat, sa i përket identifikimit të kryerësve të veprës penale, kemi arritur t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor dhe ky rast si i tillë, target i së cilës kanë qenë qytetarët e Republikës së Kosovës, kanë cenuar rëndë integritetin moral të tyre sa i përket shpërndarjes së fotove, video-incizimeve intime, të cilat kanë krijuar pasiguri tek qytetarët e Republikës së Kosovës.”, – deklaroi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.
Prokuroria e Kosovës ka sqaruar se më 14 prill është lëshuar aktvendim për ndalimin e njërit prej administratorëve të “Albkings”. Më 23 prill është ndaluar edhe personi i dytë i gjinisë femër, si një nga administratoret e këtij grupi. Më 23 maj, prokuroria lëshoi aktvendim për ndalimin e personit të tretë apo administratorit kryesor dhe themeluesit të grupit. Ndaj të njëjtit, prokuroria ka parashtruar kërkesë për paraburgim dhe kjo është miratuar nga Gjykata. Prokuroria potencon se gjithsej janë arrestuar 7 persona dhe vazhdon zgjerimi i hetimeve edhe për personat tjerë të dyshimtë.