05 October
Prokurori Speciale kontrollon nëse përmes sistemit AKMIS është bërë keqpërdorim gjatë shpërndarjes së lëndëve tek gjykatësit. Katica Janeva dhe disa hetues në shoqëri të policisë janë duke hetuar nëse sistemi është i manipuluar, për lëndët që kanë të bëjnë me këtë prokurori. Përveç PSP-së edhe Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë i filloi analizat e para nëse sistemi AKMIS është keqpërdorur dhe nëse disa lëndë të caktuara janë shpërndarë në duar, tek gjykatësit, të cilët kanë qenë të besueshëm tek kryetarët e gjykatave. Nga Ministria e Drejtësisë konfirmuan se grupi punues, prej sot ka filluar hetimin edhe atë në Gjykatën Penale. Shprehen se është shumë herët për të folur për keqpërdorime eventuale.
Dyshime për shpërndarjen e lëndëve përmes rrugës elektronike, shkaktoi edhe kumtesa e djeshme e Gjykatës Themelore Shkupi 1se lënda “300” e PSP-së do të gjykohet nga Lidija Petrovska, e cila pas të ashtuquajturave bomba mori epitetin gjykatësja “Svarovski”. Nga katër aktakuzat e PSP-së, tre i gjykon pikërisht Petrovska – “300”, “Fortesa 2” dhe “Transporter”. Nga Penalja bëjnë të ditur se nuk ka keqpërdorime të sistemit AKMIS dhe se në Departamentin për Krim të Organizuar janë gjashtë gjykatës. Tre prej tyre, kanë qenë në Këshillin që e ka aprovuar aktakuzën – Verka Petkovska, Goran Boshevski dhe Tatjana Mihajlova. Në lojë kanë mbetur tre gjykatësit tjerë – Lidija Petrovska, Lenka Davitkovska dhe Ivica Stefanovski. Ata që kanë dhënë dritë jeshile që lënda “300” të hyjnë në Gjykatë nuk kanë mundur ta gjykojnë lëndën.
Gjykatësit që kanë qenë anëtarë të Këshillit për vlerësimin e aktakuzës, më pas nuk mundet përmes rrugës elektronike në përputhje me sistemin AKMIS t’u shpërndahet lënda. Kështu që sistemi AKMIS mund ta shpërndajë lëndën, të formuar pas vlerësimit të aktakuzës, vetëm tre gjykatësve të mbetur që nuk kanë marrë pjesë në vlerësimin. Gjykatësi tek i cili është shpërndarë lënda në mënyrë elektronike, vepron për të bashkë me edhe një gjykatës nga tre gjykatësit e mbetur dhe me tre gjykatës të porotës: thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale.
Dyshime për keqpërdorim të shpërndarjes elektronike të lëndëve në gjykata shprehu edhe Rajnhard Pribe në raportin e ri në të cilin bëhet e ditur se keqpërdorimet janë të mundshme dhe rekomandoi që të hetohen të dhëna të tilla, ndërsa gjykatësit e pandërgjegjshëm të japin llogari.
Bojan Stojanovski

