19 Dhjetor
PSP ndjek 17 persona për abuzim me detyrën zyrtare. Drejtorë, ish ministra dhe gazetarë janë nën dyshimin e se kanë kryer vepra penale dhe të njëjtit janë pjesë e shtatë rasteve të reja të prokurores Katica Janeva. “Shërbimet e huaja”, “Pagesa Rrugore”, “Rentgeni”, “Producenti”, “Liderët”, “Tarifa 2” dhe “Transportuesi 2” janë rastet e reja që Specialja i prezantoi sot. Rasti “Shërbimet e huaja” ka të bëjë me përgjimin e paligjshëm disavjeçar. Një ndihmës ministër në MPB dhe një kryeshef i shërbimit operativ dyshohen se në dhjetor të vitit 2014 kanë marrë pajisje nga një kompani e huaj. Porosia është bërë pasi paraprakisht është përgatitur raport se në Shkup janë detektuar aktivitete të paligjshme me stacione të dyfishta bazë.
Raporti i këtillë duhej ta konfirmojë tezën e kreut të atëhershëm shtetëror se përgjimi masovik joligjor është kryer nga shërbimet e huaja. Kuptohet se interes për përgatitjen e këtij raporti ka pasur edhe kompania e huaj dhe ky interes shumë shpejtë është realizuar – tha Fatime Fetai, PSP.
Për mashtrim dhe dorëzim të llogarive të rrejshme fiskale nga pikat pagesore në Kuvend, dyshohet ish deputetja e VMRO-së, Silvana Boneva. Sipas PSP-së ajo ka pasur akomodim në Shkup, ndërsa ka dorëzuar dokumente se ka realizuar 843 udhëtime me çka ka arkëtuar rreth 100 mijë euro për katër vite.
Nëse udhëtimet do të bëheshin realisht me automjetin e të dyshuarës, e njëjta do të duhej të ketë kaluar të paktën 235 mijë 928 kilometra, edhe pse nga dëshmitë e grumbulluara, kilometrazhi i plotë i kaluar i automjetit është 133 520 kilometra për periudhën në fjalë – deklaroi Fatime Fetai, PSP.
Në rastin “Liderët” dyshohet një investitor i cili ka ndërtuar një objekt pa leje përballë ambasadës amerikane në shtegun për këmbësor. Pikërisht ky objekt ishte temë bisede në bombat e publikuara ku LSDM pohonte se Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti flasin për këtë investim. Megjithatë, ata nuk janë të dyshuar, ndërsa Specialja nuk shpjegoi pse për momentin Ahmeti e Gruevski nuk janë pjesë e hetimit.
Vetëm personi që paraqitet si investitor – u shpreh Lubomir Lape, PSP.
Në rastin “Rentgen” dyshohet ish ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov i cili . Ai dyshohet të ketë abuzuar me detyrën zyrtare gjatë furnizimit me aparatet e rentgenit ku sipas PSP-së ka bërë përfitime personale prej 860 mijë eurove. Në rastin “Producenti” dyshohet ish ministri i bujqësisë Lupço Dimovski. Ai ka lidhur kontratë prej 50 mijë euro me kompaninë Smart Centar, në kundërshtim me ligjin për furnizime publike. Në rastin “Tarifa 2” përsëri i dyshuar është ish drejtori Dejan Boshkovski, për të cilin tashmë ka aktakuzë. Për sistem jofunkcional, ai i ka dërguar para një kompanie çeke duke shkaktuar dëm prej 218 mijë euro. Rasti i fundit është “Transpurtuesi 2”, ku përsëri si i dyshuar paraqitet ish kryteari i Manastirit Vladimir Talevski.
Boki Stojanovski

