Hetimi kundër tridhjetë policëve të përfshirë në rastin e udhëhequr nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në lidhje me zjarrin në klubin “Puls” në Koçan është ende në vazhdim kurse për Alsat nuk saktësojnë se kur mund të pritet të ngrihet aktakuza. Megjithatë nga Prokuroria thonë se punojnë në përputhje me afatet ligjore
“Në hetimin që Prokuroria Për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po e zhvillon kundër policëve në lidhje me ngjarjen në Koçan, provat e mbledhura në lidhje me ngjarjen në fjalë po përpunohen dhe analizohen në mënyrë aktive. Në fund të procedurës, do të merret vendim i prokurorisë publike, për të cilin publiku do të informohet me kohë. Prokuroria publike përkatëse po ndërmerr veprime brenda afateve të përcaktuara me ligj”, njoftojnë nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PThP NKOK).
Në këtë rast, 30 policë akuzohen se nuk kanë kryer kontroll të hollësishëm gjatë lëshimit të licencës për klubin e natës “Puls”, në aspektin e ruajtjes së sigurisë dhe rendit publik. Shtatë policë u dyshuan fillimisht në hetimin e Prokurorisë kurse në prill u zgjerua për të përfshirë edhe dhjetë të tjerë. Përveç kësaj, 13 policë të tjerë u dyshuan në qershor të këtij viti. Vetëm pak ditë më parë, njëri nga policët e përfshirë në hetim ndërroi jetë. Ndërkohë, derisa Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është ende duke pritur aktakuzën për rastin tjetër, të cilin po e trajton Prokuroria Themelore Publike, Gjykata Penale tashmë ka caktuar datë për seancën kryesore dëgjimore, e cila do të mbahet më 19 nëntor në sallën e gjyqit në Idrizovë. /Alsat.mk