25 October
Prokuroria Publike ende nuk planifikon të thërrasë deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski si të dyshuar për hapjen e dyerve të Kuvendit natën e dhunshme të 27 prillit. Prokurorja e lëndës Vilma Ruskovska përmes telefonit tha për Alsat se procedura është akoma në fazë para-hetimore dhe se ende po punohet për rrumbullakësimin e hetimit.
Akoma jemi duke rrumbullakësuar hetimin. Lënda është në procedurë para-hetimore dhe nuk mund asgjë t’ju them më shumë. Dua vetëm të shtoj se veprën e tyre e kanë parë të gjithë, por unë për momentin nuk kam qëllim që t’i ftoj. Do të qëndroj në korniza të procedurës para-hetimore ashtu siç e parashikon ligji- deklaroi prokurorja Vilma Ruskovska.
Ekspertët kritikojnë qasjen e Prokurorisë. Sipas tyre, përderisa organi akuzës ka konstatuar se më 27 prill ka pasur krim të organizuar, atëherë hetimi duhet të niset nga fillimi i ngjarjes penale. Natali Petrovska, vlerëson se paralel më dënimin e dhunuesit të Radmilla Shekerinskas duhej të procedoheshin edhe deputetët që hapën dyert.
Të çudit fakti që deri më tani Prokuroria Publike nuk i ka ftuar në biseda edhe pse ka incizime dhe dëshmi materiale për veprat e tyre. Nuk do të mund të kompletohet vepra në këtë mënyrë. I gjithë opinioni i ka parë ato incizime dhe Prokuroria si institucion i ka vlerësuar në bazë të gjendjes faktike. Vlerësoj se deri më tani është dashur të ftohen në përgjegjësi ato persona, pavarësisht nëse do të shpallet të fajshëm ose jo, duhej të thirreshin si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në ato zhvillime të dhunshme- tha juristja Natali Petrovska.
Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion që nga 31 maji kur edhe ka marr nën kompetencë hetimin e 27 prillit, nuk ka shtruar asnjë akuzë dhe nuk ka proceduar akoma asnjë të dyshuar. Më 20 qershor kjo Prokurori kishte kumtuar se ka filluar me dëgjimin e qytetarëve dhe dëshmitarëve të cilët ishin prezent të enjten e përgjakshme, por që deri më tani, të paktën jo zyrtarisht nuk ky organ nuk ka dëgjuar asnjë të dyshuar relevant për ndodhitë e përgjakshme. Ndonëse akoma të pa paraqitur në Prokurori, dy protagonistët Mukoski dhe Vasilevski në tentativat e Alsat M për t’i intervistuar ishin shprehur se nuk ndjehen fajtor për veprën që tashmë publikisht mund të konstatohet përmes incizimeve të publikuara nga kamerat e sigurisë.
Adriasn Kerimi

