Prokuroria ka formuar lëndë lidhur me padinë penale të Ministrisë së Punëve të Brendshme kundër ish anëtares së Këshillit Loreta Gjorgieva, e cila ngarkohet se ka shpërdorur rreth 4,700 euro të buxhetit të shtetit për shpenzime rrugore në relacionin Shkup-Strumicë dhe anasjelltas, ndërkohë që vajza e saj ka pasur banesë në Shkup.
“E kemi pranuar padinë dhe lënda është në fazën parahetimore. Prokuroria ka filluar të ndërmerr veprimet e nevojshme”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.
Nga ana tjetër, nga Këshilli Gjyqësor informojnë se në njërën prej mbledhjeve të ardhshme do ta diskutojë çështjen e padisë ndaj Gjorgievës. Kreu i Këshillit, Aleksandar Kambovski në një bisedë telefonike sqaroi për Alsat se do të pritet epilogu gjyqësor i rastit, pasi duhet të respektohet prezumimi i pafajësisë, ndërsa pastaj do të vendosin nëse do të nevojitet të ndërmarrin masa përkatëse. Sipas Kambovskit, nëse Gjorgieva dënohet për veprën penale në fjalë, Këshilli me vetiniciativë do të hapë procedurë disiplinore për shkelje të rëndë, e cila mund të arrijë deri në shkarkim nga pozita e gjyqtares, të cilën aktualisht e ushtron në Gjykatën e Strumicës.
Gjatë ditës, kërkuam qëndrim edhe nga Gjorgieva, megjithatë nuk morëm përgjigje.
Kallëzimi kundër Gjorgievës vjen pas paralajmërimeve të Qeverisë për reforma në Këshillin Gjyqësor. Ndërkohë, fjalori i ashpër që përdorej nga kryeministri kundër anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, por edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve, vazhdon të ashpërsohet në fushatë. Paralajmërimet janë që aksioni për të reformuar gjyqësorin do të nis pas fushatës zgjedhore, megjithatë nuk ka një plan të qartë se në çfarë forme do të bëhet. /Alsat.mk