Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet për tragjedinë në Koçan janë zgjeruar, duke përfshirë edhe 19 persona të tjerë, të cilët dyshohen për shkelje të rënda të sigurisë së përgjithshme.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për persona me funksione publike, që nga viti 2012 deri më 16 mars të këtij viti, kanë dështuar të veprojnë sipas masave të përcaktuara për mbrojtje. Sipas Prokurorisë, kjo neglizhencë ka shkaktuar rrezik serioz për jetën dhe trupin e njerëzve, si dhe për pronën në përmasa të mëdha.
Në mesin e të dyshuarve të rinj përfshihen:
-
Inspektorë të autorizuar për ndërtim në komunën e Koçanit,
-
Drejtorë dhe inspektori i përgjithshëm i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim,
-
Ish-ministra të Ekonomisë,
-
Sekretarë shtetërorë dhe zyrtarë të tjerë nga kjo ministri,
-
Inspektorë të Inspektoratit të Tregut.
Prokuroria njofton gjithashtu se në Gjykatën Themelore të Koçanit do të parashtrohen propozime për caktimin e masave të sigurimit të pranisë ndaj të gjithë të dyshuarve të rinj.
Me këtë zgjerim të fundit, numri i përgjithshëm i personave ndaj të cilëve është hapur procedurë hetimore lidhur me zjarrin tragjik arrin në 45 persona fizikë dhe 3 persona juridikë. Njëri prej të dyshuarve ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra pas hapjes së procedurës hetimore, dhe ndaj tij procedura është ndërprerë.