Gazetarët e huaj insistuan sot (9 qershor) gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama, tek dy nga çështjet më kryesore të ditës, Zvërnecin dhe Sazanin, që kanë ngritur edhe mijëra qytetarë shqiptarë në protesta për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.
Gazetarja rumune prezentë këmbënguli nëse për Sazanin kishte një projekt, duke përsëritur atë që kishte insistuar më herët për Zvërnecin dhe kreu i ekzekutivit i kujtoi në formë kritike se e kishte sqaruar që në fillim këtë çështje, pasi nuk kishte as marrëveshje për Sazanin dhe rrjedhimisht as projekt.
“Ka një arsye që je nga Rumania. Për ishullin e Sazanit a ka plane? Po e thashë që në fillim. Plan për t’u zhvilluar? Po, ka dy vendndodhje. Ishulli i Sazanit e thashë është tokë publike, është shteti pronar fal Zotit atje. Për të parë hendekun e madh të asaj që ju është futur në kokë dhe realitetit, nuk ka një marrëveshje, nuk mund të bëjmë marrëveshje pa pasur projekt. Nuk kemi as marrëveshje për Sazanin. Pse? Sepse po negociojmë prej 2 vitesh sepse nuk po negociojmë për ta shitur ishullin, por për hir të së vërtetës as e kanë kërkuar që ta blejnë ishullin. Por edhe nëse do e kërkojnë as na ka shkuar kurrë ndër mend që ta sheshim ishullin. Për çfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë për një sipërmarrje të përbashkët. Ishulli i përket shqiptarëve, republikës së Shqipërisë dhe i përket si pasuri Shqipërisë”, tha ai mes të tjerash.
Por sqaroi se ajo çfarë do ndërtohet atje do të ketë sigurisht tituj pronësie, ashtu sikurse edhe për ndërtesat e tjera që ngrihen sikurse në Tiranë apo përballë bulevardit ishte shpjegimi i tij.
Ai gjithashtu shtoi se shteti shqiptar do të përfitojë nëse do finalizohet kjo marrëveshje nëpërmjet negociatave, por siguroi se s’do kishte shitje të ishullit.
“Por patjetër ata atje ku do ndërtohet do ketë tituj pronësie mbi ndërtesën ashtu sikurse edhe këtu përballë bulevardit. Por nuk ka shitje të ishullit. Jam i dëshpëruar deri në kockë, si ta them, sepse sheh gjithë këto foto, me kulla e Trump dhe thonë turp t’i vijë Edi Ramës, kjo është çmenduri. Po bëhen negociata për të pasur pronësinë e investimit, pra shteti shqiptar do përfitojë prej kësaj”, vijoi kreu i ekzekutivit.
Ndërsa për Zvërnecin Rama sqaroi se:
“Për ishullin nuk kam asnjë skicë të paraqitur sepse nuk ka asnjë marrëveshje, në Zvërnec ka një marrëveshje me pronarët e tokës dhe po vazhdojnë, është normale nuk kam çfarë t’ju them për të”.


