Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile hyri në fazën e debatit publik. Dispozitat ligjore parashikojnë konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, përkatësisht pasurisë së përfituar përmes korrupsionit dhe veprave më të rënda kriminale. Denoncimi mund të bëhet edhe në mënyrë anonime deri tek institucionet përkatëse, ndërsa konfiskimi duhet vërtetuar përmes aktgjykimit. Kufiri mbi të cilin krijohet baza për procedim drejt konfiskimit është 50.000 euro.
“Derisa gjatë procedurës gjykata konstaton se pasuria nuk është përfituar në rrugë ligjore, e njëjta pasuri me vendim të plotfuqishëm konfiskohet dhe shkon në llogari të shtetit, apo në llogari të palës së dëmtuar në rast se ka rast të tillë. Me këtë ligj parashikohet që pasuria e konfiskuar në procedurë civile të jepen në shfrytëzim për nevojat sociale dhe në dobi të shoqërisë”, tha Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.
Prokurori Gavrill Bubevski tha se me miratimin e këtij ligji do të plotësohet një zbrazëtirë e cila deri tani organet e ndjekjes penale dhe ato të parandalimit të korrupsionit i ka mbajtur duarlidhur për shkak të pamundësisë për të vërtetuar burimin e pasurisë.
“Kemi situata kur ne nuk kemi mundur ta dëshmojmë veprën e tij, por ka pasuri që ka dallim drastik (pra mbi 50 mijë euro sa është e parashikuar me ligj) nga pasuria që mund ai ta përfiton realisht nga të ardhurat e tij dhe familjes. Pra mund të kemi rast kur një person është liruar, por pasuria e tij është shumë e madh për dallim nga puna që bën. Nuk arritëm ta dëshmojmë veprën penale, por mundemi atë pasuri të konfiskojmë. Këtu e shoh unë zgjidhjen përmes këtij ligji”, tha Gavrill Bubevski, Prokuror.
Për përmbajtjen e ligjit është kërkuar mendim dhe ndihmë edhe nga Komisioni Evropian. Komuniteti i ekspertëve rekomandon saktësimin e dispozitave përmes të cilave arrihet deri tek konstatimi se pasuria në fjalë është përfituar në mënyrë jo ligjore. Krahas konfiskimit në procedura civile ekziston edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedura penale, por që për bazë ka vërtetimin e fajësisë së të pandehurit. /Alsat.mk