Ekonomisti shqiptar nga Gostivari, Visar Ademi, është duke ligjëruar në Republikën e Tanzanisë, shtet i Afrikës Lindore. Në këtë shtet ai është angazhuar në kuadër të një projekti të USAID-it amerikan, shkruan Gazeta Lajm.
Gjatë qëndrimit njëmujor, Ademi ka fituar përshtypje se vendet afrikane në aspektin ekonomik kanë ngjashmëri të mëdha me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku gjendet edhe Maqedonia.
“Shumica e shteteve të Afrikës me ata të Ballkanit Perëndimor kanë ngjashmëri të madhe. Të dy rajonet kane kaluar nëpër diktatura të ndryshme dhe të dy si model zhvillimi ekonomik kane zgjedhur shitjen e lirë të pronës shoqërore ose aseteve por duke vazhduar të kontrollojë qarkullimin e CASH-it, kjo me tepër për qëllime personale pasurimi, se sa shoqërore.
Të dyja rajonet e kanë kuptuar shumë mirë që posedimi i aseteve rëndon bilancin dhe nuk është se sjell përfitime personale në ndërkohë që është edhe përgjegjësi e madhe për shkak të amortizimit që kanë këto bukuri dhe pasuri shoqërore, kurse paraja nuk zhvleftësohet kurrë dhe ka vlerë më të madhe që nuk kërkon mirëmbajtje”, shkruan Ademi, duke shprehur impresionet e veta nga qëndrimi në Tanzani.