Në Universitetin e Trakisë ( 14 – 15 tetor 2021), u mbajt simpoziumi shkencor me temë: “Jeta sufiste në Edrene dhe Hasan Sezai Gylshen”. Prof. Dr. Sulejman Baki nga Universiteti i Tetovës, ishte pjesë e sesionit hapës të simpoziumit dhe paraqiti kumtesën “Ndikimi i tasafuvit në Ballkan”, e cila ngjalli shumë interes te auditori i pranishëm.
Pas përfundimit të sesionit të parë, Prof. Dr. Sulejman Baki, i shoqëruar nga Doc. Dr. Zejni Mazllami, morën pjesë në drekën e shtruar nga Rektori i Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoǧlu.
Mësimdhënësit e Filologjisë Orientale nga Universiteti i Tetovës e vizituan Institutin për Kërkime Ballkanike, ku u pritën nga drejtori Doc. Dr. İbrahim Kelağa Ahmet dhe ndihmësdrejtori Doc. Dr. Ali Hüseyinoğlu. Drejtuesit e Institutit për Kërkime Ballkanike u shprehën mirënjohje mësimdhënësve të Universitetit të Tetovës dhe konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ditën e dytë të vizitës, Prof. Dr. Sulejman Baki dhe Doc. Dr. Zejni Mazllami, të shoqëruar nga mësimdhënësit me origjinë nga Maqedonia e Veriut: Doc. Dr. Abas Jahja (mësimdhënës në Fakultetin Teologjik), Doc. Dr. Xhunejs Nureski (mësimdhënës në Fakultetin e Filologjisë) dhe Mr. Bilall Rashid (koordinator i simpoziumit), e vizituan Fakultetin Teologjik ku u pritën nga Dekani, Prof. Dr. Xhevdet Kellëç, i cili njëherit ishte bashkorganizator i simpoziumit shkencor.
Programi studimor i Filologjisë Orientale që nga themelimi i tij ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me njësitë akademike që janë në kuadër të Universitetit të Trakisë.