Masat për mbrojtjen e produkteve vendore, për ekspertët e bujqësisë, janë të pakuptimta dhe të paqëndrueshme, sidomos në kohën e tregtisë së lirë dhe tregut të hapur ku duhet të garohet me çmime dhe cilësi për të përfituar konsumatorë.
Masa e fundit e Kosovës për mbrojtjen e produkteve vendore me zbatimin e doganës prej 30 për qind për import të prodhimeve bujqësore nga shtetet e rajonit, e që u hoq javën e kaluar, për ekspertët e bujqësisë – ishte e pakuptimtë dhe e paqëndrueshme, sidomos në kohën e tregtisë së lirë dhe tregut të hapur ku duhet të garohet me çmime dhe cilësi për të përfituar konsumatorë, shkruan gazeta KOHA. Bile, vlerësojnë afaristët, masat e ndryshme mbrojtëse që janë vendosur kohë pas kohë midis shteteve të rajonit gjatë viteve të kaluara, nuk shkojnë në favor të krijimit të një tregu rajonal që mundëson zhvillim ekonomik, rrit sigurinë dhe stabilitetin politik në Ballkan. Në ndërkohë, në vitet e kaluara kishim më shumë shembuj të vendosjes së pengesave që kanë zgjatur vetëm për disa javë të këmbimit të lirë të mallrave në rajon.
Vitin e kaluar, Doganat e Shqipërisë vendosën një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës, u rrit referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 euro, që nënkuptonte një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë. Një masë e tillë u anulua pas dy javësh nga ana e autoriteteve shqiptare. Probleme të ngjashme në eksport dhe import kishte para katër vitesh edhe midis Maqedonisë dhe Serbisë. Mirëpo, pas takimeve të dikasterëve të bujqësisë nga të dyja shtetet, u mundësua që gruri dhe mielli nga Serbia të eksportohen lirshëm në Maqedoni, ndërsa vera dhe domatet nga Maqedonia të mund të hyjnë lirisht në Serbi.
Masa të ngjashme për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore të grurit që i vendosi Maqedonia kundrejt Kosovës para katër vitesh, gjithashtu nuk kishte sens në përgatitjen e shteteve të rajonit që nesër të anëtarësohen në BE, shtojnë më tej njohësit e bujqësisë.
“Masa të tilla të mbrojtjes së prodhimtarisë bujqësore që vendosen nga cilido shtet në rajon, edhe pse në shikim të parë sjellin dobi për prodhuesit vendor, megjithatë në aspekt afatgjatë sjellin vetëm dëme, pasi në kushtet e një konkurrence të madhe të tregtisë në rajon dhe botë, vendin e prodhimeve që ju vendosen barriera do ta zënë prodhimet nga shtetet tjera. Në këtë mënyrë, vetëm zëvendësohet një importues me tjetrin”, thotë për KOHA, eksperti i ekonomisë, Arben Halili.
Sipas tij, shtetet e rajonit duhet të respektojnë marrëveshjen CEFTA për tregti të ndërsjellë të lirë, e që në fakt synon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal drejt integrimit në tregun e madh evropian. Njëherësh, qëllimet kryesore të kësaj marrëveshje janë liberalizimi dhe zgjerimi i tregut, përafrimi me rregullat e BE-së dhe integrimi gradual në Bashkimin Evropian.
Halili më tej sqaron se e vetmja rrugëdalje e fermerëve në rajon, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, është prodhimtaria sa më konkurruese në treg.
“Fermerët në Maqedoni në radhë të parë duhet të shikojnë marrjen me bujqësi si profesion primar dhe jo sekondar që siguron të ardhura shtesë. Ato, gjithashtu duhet të orientohen të rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimeve të tyre me qëllim që nesër të arrijnë edhe çmime më të leverdishme në treg”, shton ai.
Në ndërkohë, edhe përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova nuk e kanë mirëpritur vendosjen e barrierave të ndryshme për tregti të lirë në rajon.
Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime, sipas një analize që bëri javën e kaluar Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), tregon se kjo masë jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura.
Për më tepër, Oda Ekonomike e Kosovës thotë se edhe sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e pemëve dhe perimeve për vitin 2018, del se vendimi në fjalë nuk gjen arsyeshmëri as nga ky aspekt, pasi nuk është raportuar rritja e importit.
“Edhe statistikat tregojnë se nuk ka pasur vëllim të shtuar të importit për pemët dhe perimet me çka edhe vihet në pikëpyetje nevoja për këtë masë mbrojtëse, së paku jo kaq të shpejtuar dhe pa konsultime paraprake me palët e interesit. Sa për ilustrim, si rezultat i masës mbrojtëse, importi për vitin 2018 për ditët gjatë së cilës është aplikuar masa, krahasuar me ditët e njëjta në vitin 2017, ka shënuar një rënie të lehtë prej 40.000 euro”, thuhet në analizën e OEK. Ndryshe, eksporti i pemë-perimeve nga Maqedonia në Kosovë vetëm në periudhën janar-qershor të këtij viti është 2.5 miliardë denarë.