Në Bullgari, fqinjin Lindor të Maqedonisë së Veriut, rreth kontesteve historike mes dy vendeve opinioni është i ndarë. Madje ka edhe nga ata që hapur janë deklaruar kundër Memorandumit të Bullgarisë drejtuar vendeve anëtare të BE-së. Javë më parë, shkencëtarë, profesorë universitarë dhe figura publike bullgare janë deklaruar kundër memorandumit të dërguar nga Sofja për vendet anëtare të BE-së, duke përshkruar akuza serioze dhe vija të kuqe gjatë rrugës së Shkupit drejt BE-së.
Në letrën “Evropa nuk na kupton”,ata këmbëngulin në “ndryshim thelbësor të paradigmës në të menduarit historik” dhe shkruajnë se nuk pajtohen që “Maqedonia e Veriut të paraqitet vetëm si vend që nuk merret me të kaluarën e vet”. Sipas tyre, Sofja demonstron kuptime të vjetërsuara dhe bën pretendime të paqëndrueshme dhe naive kundër Maqedonisë të Veriut. Nënshkruesit e letrës së përbashkët besojnë se memorandumi nuk pasqyron arritjet e shumë historianëve bullgarë në dekadat e fundit dhe është i pakuptueshëm edhe për Evropën. “Ne nuk e shohim se si Evropa mund t’i kuptojë tezat e disa studiuesve bullgarë me ndikim institucional, të cilët nuk flasin gjuhën e historiografisë moderne ose shkencave bashkëkohore humane dhe shoqërore. Memorandumi nuk pasqyron parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, thuhej në letër.
Mbështetësit e qëndrimit kundër memorandumit nuk pajtohen që Maqedonia e Veriut duhet të paraqitet si vend që nuk “merret me të kaluarën e vet”. Ata gjithashtu konsiderojnë se pretendimet në memorandum për identitetin e “shumicës dërrmuese të popullsisë sllave në Maqedoni” janë historikisht naive dhe nuk korrespondojnë me arritjet e historiografisë moderne, shkencës sociale dhe humanitare. Sipas tyre, këto pretendime i nënshtrohen kuptimit të vjetruar të “historisë kombëtare”, e cila sot është e papërshtatshme në lidhje me shkencën kritike historike. Njohësi i zhvillimeve politike dhe historike, Shpëtim Pollozhani vlerëson se Bullgaria nuk i ka hyrë kësaj “beteje” e papërgatitur, dhe se në rast dështimi sipas tij, politika maqedonase në Shkup, fajin e dështimit të vetë dëshiron t’ua hedh shqiptarëve.
“Bullgaria nuk ka hyrë e papërgatitur në zgjidhjen e kontesteve me Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut duhet ti marrë shumë seriozisht vërejtjet e Bullgarisë. Kjo e fundit është anëtare e BE. Pesha e Bullgarisë, krahasuar me Maqedoninë e Veriut në BE, është 10 me 1. Zaevi me emërimin e Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm, planifikon që një pjesë të fajit për dështimin e vetë t’ua hedhë shqiptarëve dhe ministrit të jashtëm. Nuk përjashtohet mundësia reale që të bëhet edhe një korrigjim i historisë që i ka rrënjët që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, e Parisit…”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.
Kundër vetos bullgare ndaj integrimeve euro-atlantike është deklaruar edhe analisti politik bullgar, Ivan Krastev. Ai konsideron se një veto e mundshme nga Sofja për negociatat e Maqedonisë do të ishte absurde sepse është në kundërshtim me politikën e deklaruar zyrtarisht të Bullgarisë në mbështetje të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, vlerësim i ekspertëve bullgarë, ndërsa nga Parlamenti mesazh se në tejkalimin e keqkuptimeve midis dy vendeve mund të ndihmojnë edhe legjislaturat. “Për më tepër, brenda presidencës bullgare, kjo është bërë përparësi për Brukselin. Në këtë kuptim, vetoja bullgare do të ishte absurde. Thjesht do të dukemi qesharakë. Deri dje kemi luftuar për hapjen e BE-së për Maqedoninë e Veriut, sot duam t’i ndalojmë. Jo se gjëra absurde nuk po ndodhin, por unë jam i bindur se as Qeveria dhe as Presidenti nuk do ta lejonin Bullgarinë të gjendej në një situatë izolimi total brenda BE-së”, ka deklaruar politologu Krastev në një intervistë për gazetën bullgare “Dnevnik”.
Ndërkohë, tanimë është bërë e qartë se edhe Gjermania po bën përpjekje që të arrihet një marrëveshje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. Gazeta KOHA nga burime diplomatike mëson se së fundmi Gjermania ka qenë ndërmjetësuesja e takimit të Berlinit, në mes të shefit të diplomacisë Bujar Osmanit, zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov dhe shefes së diplomacisë bullgare Ekaterin Zaharaieva. Ndërkaq, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, shkruan se kërkesat bullgare ndaj Maqedonisë nuk i takojnë shekullit 21. (koha.mk)




