Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka kujtuar operatoreve ekonomikë që marrin pjesë në procedurat e prokurimit që të bëjnë vetë deklarime të vërteta ose në të kundërt nëse verifikohet se kanë gënjyer humbasin të drejtën për të marrë pjesë në garat me fonde publike.
Në një kujtesë të fundit APP ka nënvizuar se kjo vjen në kuadër të ndryshimeve ligjore që janë bërë ku ndër të tjera një vendim i Këshillit të Ministrave i cili sanksiononte kriteret për kualifikimin e operatorëve ku përfshihej edhe vetëdeklarimi sipas një formulari standard.
“Në kuadër të ushtrimit të detyrave të saj, sipas parashikimeve të ligjit 162/2020 “Për prokurimin publik”, Agjencia e Prokurimit Publik (APP), marrë shkas nga rastet e konstatuara në praktikë, sjell në vëmendjen e të gjithë operatorëve ekonomikë, të cilët ofertojnë në procedurat e prokurimit publik, që në përgatitjen e ofertave të tyre të mbajnë në konsideratë parashikimet e kuadrit të ri rregullator në fushën e prokurimit publik.
Sjellim në vëmendje, se referuar rregullave të reja të prokurimit publik (miratuar me VKM 285/2021 ), një sërë kriteresh për kualifikim të përcaktuara në dokumentet e tenderit nga autoritetet/entet kontraktore plotësohen nëpërmjet vetdeklarimit, sipas shtojcës Formulari Përmbledhës i Vet deklarimit, pjesë e Dokumenteve Standarde të Tenderit.
Në çdo rast, autoriteti/enti kontraktor ka të drejtë të kryejë verifikimet e nevojshme mbi vërtetësinë e informacionit të deklaruar nga operatori ekonomik, ose ti kërkojë operatorit sqarime dhe dokumente mbështetëse për këto sqarime.
Theksojmë se, operatorët ekonomikë mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo vet deklarim të bërë me qellim përmbushjen e kritereve të pranimit dhe pavërtetësia/pasaktësia e vet deklarimeve të tyre përbën shkak për përjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë deri ne 3 vjet, sipas parashikimeve të nenit 78 te ligjit 162/2020” thuhet në dokumentin e APP.
i njëjti sjell si shembull rastet kur operatoret ekonomikë që kanë masë ligjore (gjobë) në fuqi, për shkelje të legjislacionit të punës, dhënë nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, e cila nuk është likuiduar, nuk mund të deklarojnë se ushtrojnë aktivitetin në zbatimin e kërkesave ligjore në fuqi, përfshirë legjislacionin mjedisor, social dhe të punës.0
Një rast tjetër që mund të sillet si shembull është rasti i operatoreve ekonomikë, që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore që deklarojnë se, ushtrojnë aktivitetin e tyre në zbatim të kërkesave ligjore në fuqi, kur nga kontrollet e fundit të kryera pranë tyre nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka rezultuar se nuk ushtrojnë aktivitetin sipas legjislacionit në fuqi.
“Çdo vet deklarim i pavërtetë/pasaktë nga ana e operatoreve ekonomikë jo vetëm që përbën shkak për s’kualifikimin nga procedura konkrete, por përbën shkak dhe për përjashtimin e tyre nga e drejta për të fituar kontrata publike deri në 3 vjet, sipas parashikimeve të ligjit për prokurimin publik. Sa më sipër, APP sjell në vëmendjen e operatoreve ekonomikë që ofertojnë në procedurat e prokurimit të vet deklarojnë në çdo rast informacionin e saktë që i korrespondon gjendjes së tyre faktike” nënvizon APP./ MONITOR



