Deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidatja për zgjedhjet e 11 majit në listën e hapur të Tiranës, Dhurata Çupi, ka deklaruar ndryshimi në vend është një nevojë urgjente.
Ajo theksoi pritshmëritë e larta që vijnë nga qytetarët në këtë proces zgjedhor.
“Pritshmëritë në këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme. Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe shpresë, për një qasje tjetër,” u shpreh ajo në News24.
Çupi kritikoi pushtetin aktual, duke e akuzuar se ka rrënuar shtyllat kryesore të shtetit dhe punon vetëm për interesat e veta.
“Kemi të zhbëra disa hallka të shtetit, një pushtet ekzekutiv që punon vetëm për veten. Por sot ka frymë dhe entuziazëm te qytetarët, dhe unë besoj se kjo do të përkthehet në votë,” – tha ajo.
Deputetja demokrate shprehu besimin se qytetarët tashmë kanë një alternativë të besueshme përpara:
“Ka një alternativë dhe ka kandidatë për deputetë që janë figura të qëndrueshme dhe të papërlyera.”