Radhë të gjata pritjesh me një numër të madh të veturave me të cilat mërgimtarët vijnë në vendlindje, dukej kështu ky vendkalim kufitar. Mërgimtarët e anketuar nga televizioni Shenja thonë se temperaturat shumë të ulta i vështirësojnë edhe më shumë pritjet e gjata, duke shtuar se me të tilla pritje nuk janë ballafaquar as gjatë sezonit të verës, kur dihet se numri i mërgimtarëve që kthehen në vendlindje është akoma më i madh.
“Në Zvicër. Në kufi kurrë më keq nuk ka qenë, ka shumë malltretime. As veres nuk kemi qenë më keq, por çfarë të bëjmë. ”, deklaroi për TV SHENJA një mërgimtar.
“Hiç mirë, duhet t’I bëjmë minimum një orë, për të shkuar në Kumanovë tek familja. Domethënë duhet një orë e më tepër, ndoshta edhe më shumë. Mbrëmë ndoshta edhe dy orë e më tepër pritëm deri në Kumanovë….Sigurisht se po, derisa tani nisen mbi 300 000 e them atë numër që deri në Turqi, patjetër se është ky fluks dhe ndikon. ”, tha një mërgimtar.
Megjithatë, gjatë qëndrimit tonë aty, herë herë ky fluks i mërgimtarëve ulej, duke mundësuar kështu që mërgimtarët më me fat, të mos detyrohen që të presin gjatë, prandaj disa prej tyre thonë se gjithçka ishte në rregull, dhe se nuk u është dashur që të presin gjatë për të kaluar kufirin.
“Jemi duke ardhur nga Malma e Suedisë, kemi kaluar shumë mirë gjatë rrugës, nuk kemi pasur probleme, përveç këtu që ka 5 ose 10 vetura që presin, përndryshe kemi kaluar shumë mirë.”, tha një mërgimtar.
“Jemi nga Gjermania, vijmë për një javë që ta vizitojmë familjen… Mirë, ishte në rregull, nuk kishim aspak probleme, gjithçka ishte në rregull”, deklaroi një mërgimtar.
E ndërkaq punonjësit e doganës në këtë vendkalim kufitar, thonë se për dallim me ditët e fundjavës, sot nuk ka pasur edhe aq shumë fluks të madh mërgimtarësh, pasi siç thonë ata, në fundjavën e kaluar ka ardhur një numër shumë i madh i mërgimtarëve duke bërë kështu që të krijohen shtatë rradhë të gjata pritjesh.
Ajnur Bafqari /SHENJA/