Prindërit e viktimave në zjarri tragjik në diskotekën “Puls” në Koçani kërkuan përsëri zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për tragjedinë në të cilën humbën jetën 63 persona, ndërsa 218 u plagosën. Reagimi vjen pas seancës gjyqësore të sotme kundër 13 oficerëve të policisë nga Koçani dhe Shtipi.
Prindërit ngrenë pyetjen se pse koncerti u lejua fare të fillonte, nëse objekti nuk kishte dokumentacionin e duhur ligjor për të punuar dhe për të organizuar ngjarje.
“Çfarë duhej të bënte policia atë mbrëmje?”, pyesin prindërit, duke këmbëngulur që procedura gjyqësore të japë përgjigje të qarta për veprimet e institucioneve kompetente dhe oficerëve të policisë.
Ata mendojnë se pyetja kryesore është nëse tragjedia mund të ishte parandaluar nëse masat do të ishin marrë në kohë, veçanërisht në lidhje me lejimin e zhvillimit të ngjarjes dhe përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirë të mbyllur. Prindërit theksojnë se nuk kërkojnë që fajësia e dikujt të shpallet paraprakisht, por që përgjegjësia të përcaktohet ekskluzivisht mbi bazën e provave dhe fakteve të paraqitura në procedurën gjyqësore.
Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë thirrje mbrojtjes që të mos e zgjasë procedurën me pyetje që, sipas tyre, nuk janë thelbësore për çështjen, por të kontribuojnë në përcaktimin e shpejtë të së vërtetës.
“Asnjë uniformë apo funksion nuk duhet të jetë pengesë për përcaktimin e përgjegjësisë”, thonë prindërit e të vrarëve.
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, sot vazhdoi gjykimi me dëgjimin e dëshmitarëve, mes të cilëve edhe një zjarrfikës nga Koçani i cili dëshmoi për intervenimin e shpejtë të ekipeve pasi arriti njoftimi në orën 2:35. Gjykimi vazhdon me paraqitjen e provave.



