Përkundër gjithë turbulencave që kanë ndodhur këtyre ditëve brenda BDI-së, megjithatë si duket gjithçka do të mbetet ashtu siç e kishte planifikuar lideri i kësaj partie Ali Ahmeti.
Edhe përkundër pakënaqësive të degës së Çairit dhe Sarajit, për emërimin e Bujar Osmanit si ministër i punëve të Jashtme dhe Artan Grubit si zv/kryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, Ahmeti nuk ka hequr dorë nga propozimet e tij për përbërjen e re qeveritare.
Madje ai është shprehur se emrat e propozuara nga ai, e kanë mbështetjen e plotë të grupit parlamentar.
BDI në kabinetin e ri qeveritar do të ketë këto emra: Fatmir Besimi, Bujar Osmani, Artan Grubi, Naser Nuredini, Kreshnik Bekteshi e Jeton Shaqiri.