Austria është e gatshme të bisedojmë për zgjidhjen krijuese me Bullgarinë dhe konsideron se për momentin më e rëndësishme për BE-në është që të zbatohet politika e zgjerimit, thotë në një intervistë për “Evropën e Lirë” presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Sipas Davkovës, Ministrja për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare e Republikës së Austrisë, Beate Majnl-Rajzinger, gjatë takimit në Shkup javën e kaluar deklaroi se do të donte që bisedimet për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të zhvillohen në Vjenë.
Në pyetjen nëse jemi më afër apo më larg se një vit më parë nga fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE, duke pasur parasysh që qeveria bullgare kujtoi se kushti për përfshirjen e pakicës bullgare për fillimin e negociatave të anëtarësimit nuk është kërkesa e vetme e Sofjes për këtë proces, presidentja Siljanovska thotë se nuk mund të përgjigjet saktësisht.
“Nuk mund t’ju jap një përgjigje të saktë me një fjali. Pse? Sepse nëse them se jemi më afër ose më larg, kjo nuk do të ishte e saktë. Afërsia apo largësia janë relative. Edhe nëse fillojmë negociatat, kjo nuk do të thotë patjetër progres. Mund të paraqiten kërkesa të reja, apo siç kemi parë deri tani, procese që e pamundësojnë marrëveshjen për klasat dhe kapitujt. Çfarë mendoj për këtë periudhë? Kam vërejtur ndryshime. Logjikisht, si presidente, ky është roli im. Precedenti ynë ka bërë që BE-ja të rimendojë procesin e integrimeve, sepse është e qartë se ky precedent do të prodhojë të tjerë. Kushtetuta mund të ndryshohet, por nuk mund të premtoj se do të ndodhë së shpejti. Unë jam propozuesja, por deputetët votojnë sipas bindjes së tyre – ata përfaqësojnë qytetarët, jo mua. Pyetja që më bëhet më shpesh është: “A do të ketë ndryshime kushtetuese”? Përgjigja ime është: nuk mund të garantoj. Nuk jam monark absolut. Kërkesat për ndryshime kushtetuese nga jashtë janë në kundërshtim me parimet themelore të BE-së – janë në kundërshtim me Traktatin e Lisbonës dhe Kartën për të Drejtat Themelore. Ato theksojnë respektimin e strukturave kushtetuese dhe të identitetit kombëtar e kulturor të vendeve”, tjotë Siljanovska.
Ajo konsideron se ka hapësirë për diplomaci krijuese për të kapërcyer problemin e fillimit të negociatave dhe ofron sugjerimet e saj.
“Diplomacia kreative është e nevojshme. Jemi të vetëdijshëm që korniza negociuese është miratuar dhe është vështirë të ndryshohet – megjithatë, rasti i Serbisë tregoi që mund të ketë përjashtime. Nëse kemi probleme në procesin negociator, atëherë edhe BE-ja duhet të angazhohet kreativisht për ta zhbllokuar atë.
Parlamenti Evropian mund të miratojë një akt për marrëdhëniet tona me Bullgarinë. Këshilli mund të japë udhëzime, mund të ketë një plan veprimi për Komisionin e përbashkët historik maqedono-bullgar. Duhet të jetë e qartë që dy protokollet që kemi nënshkruar nuk përmendin ndryshimet kushtetuese – ato janë imponuar më vonë. Mund të nënshkruajmë edhe një protokoll tjetër, por ai nuk duhet të përdoret si bazë për veto, por për diskutim, siç bënë gjermanët dhe francezët, apo polakët dhe gjermanët. Qasja duhet të jetë interpretative dhe konstruktive”, thotë presidentja.
E pyetur nëse marrëveshja e partneritetit strategjik me Mbretërinë e Bashkuar është një zëvendësim për integrimin evropian të vendit, ajo e mohon këtë dhe thekson se për ne, anëtarësimi në BE nuk ka alternativë
“Jo. Nuk jam fataliste dhe nuk e përdor shpesh shprehjen s’kemi alternativë. Por Maqedonia është pjesë e Evropës – gjeografikisht, historikisht, kulturalisht dhe politikisht. Edhe zyrtarët britanikë e kuptojnë se dialogu me ne zhvillohet në kontekstin e integrimit evropian. Nuk ka alternativë. Megjithatë, të gjithë në botë po kërkojnë burime për zhvillim, dhe edhe ne jemi pjesë e kësaj përpjekjeje. Investimet më të mëdha britanike në Ballkanin Perëndimor janë te ne”, thotë Silanovska Davkova.