Presidentit Gjorge Ivanov vazhdon të heshtë për Programin Qeveritar të cilin LSDM e publikoi në selinë e saj partiake. Ende është e paqartë nëse presidenti do t’ia japë mandatin Zaevit pasi i refuzoi pikat kontestuese të Platformës që sipas tij nuk mund të zbatohen pasi nevojiten ndryshime Kushtetuese. Ndërkohë që të gjithë i kanë sytë të kthyer kah presidenti, nga VMRO DPMNE edhe sot i bënë thirrje LSDM-së që të heq dorë publikisht nga platforma me kusht që ata ti japin LSDM-së mbështetje për Qeveri. Nga VMRO DPMNE e ripërsëritën edhe kërkesën për zgjedhje të reja në mënyrë që qytetarët të mund të deklarohen pro ose kundër platformës.
“LSDM duhet të heq dorë publikisht nga Platforma e Tiranës dhe elementet në të që do ta ridefinojnë shtetin nga një shtet multietnik në një shtet binacional. Kjo vetëm konstaton dyshimet se Zoran Zaev është i gatshëm që ti shkel është interesat kombëtare, vetëm për të fituar pushtetin dhe se ai tashmë ka pranuar platformën duke e kamufluar me gjoja debate të ardhshme ekspertësh dhe konsultime brenda partiake. Në qoftë se LSDM dhe Zoran Zaev heqin dorë publikisht nga platforma, VMRO DPMNE do të votojë dhe mbështesë një Qeveri të formuar nga Zoran Zaevi”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.
Menjëherë ka reaguar LSDM-ja e cila tha se VMRO-DPMNE është partia e vetme e cila po punon kundër interesave kombëtare dhe shtetërore nëpërmjet konflikteve, dhunës, dhe incidenteve që i shkaktojnë në opinionin vendor dhe ndërkombëtar, e gjithë kjo në tentativë për të shpëtuar nga përgjegjësia për krimin e bërë.
“Qytetarët kërkuan politika të reja reale të cilat do tu mundësojnë një jetë dinjitoze, rroga më të larta dhe një standard kualitativ jetësor. Programi i Qeverisë së re reformuese e garanton unitaritetin e shtetit dhe mundëson zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit. Prandaj, Gjorge Ivanov është i obliguar që ta respektojë Kushtetuën, t’ia japë mandatin Zoran Zaevit i cili siguroi 67 nënshkrime për formimin e Qeverisë, dhe të mundësojë kështu transferimin e qetë të pushtetit”, kanë reaguar nga LSDM.
Tashmë disa ditë me radhë VMRO-DPMNE dhe LSDM përplasen rreth platformës shqiptare dhe akuzojnë njëra tjetrën për kërcënimin e sigurisë karakterit multietnik të shtetit. Partitë shqiptarë deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të qartë nëse është ose jo i pranueshëm programi i LSDM-së dhe nëse do ti japin mbështetje për formimin e Qeverisë Zaevit sikurse i dhanë nënshkrimet për marrjen e mandatit.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Presidenti hesht për mandatin dhe programin e… by tvshenjaofficial

