
Ndërmarrja për Transport Publik prej datës 1 janar do të ndërpresë disa linja të autobusëve të transportit publik. Autobusët me numër 9, 12, 19, 55, janë disa nga linjat të cilat prej datës 1 janar do të hiqen nga transporti publik dhe në këto relacione do të funksionojnë vetëm transportuesit privat. Lajmin rreth kësaj e kanë konfirmuar edhe nga kjo ndërmarrje publike, të cilët nuk kanë dhënë shumë sqarime, raporton TV SHENJA.
“Në pajtueshmëri me vendimin për kryerjen e transportit publik të qytetit dhe periferik e sjellur nga ana e Këshillit të Qytetit të Shkupit nga data 01.01.2017 NTP SHKUP nuk do të ketë transport në linjat vijuese dhe të njëjtat do t’i shërbejnë transportuesit privat- 9, 12, 19, 20, 23, 45, 55, 11, 11A, 47A dhe 73”, thuhet në përgjigjen e NTP-së.
Në kumtesën e kësaj ndërmarrje më tej thuhet se vendimi për këtë është sjellur nga Qyteti i Shkupit dhe se për informatat më të detajuara duhet të drejtohemi në këtë institucion.
Nga ana tjetër, Këshilli i Qytetit të Shkupit thotë se sipas vendimit të sjellur, nga data 1 janar unifikohet transporti publik për udhëtarët që përdorin autobusë, një pjesë e linjave u ndahen transportuesve privat, megjithatë sipas tyre, nuk bëhet fjalë për ndërprerje apo reduktim të linjave.
“Transportuesit privat duhet t’i përmbahen, ashtu si ndërmarrja publike, orareve të parashikuara të transportit dhe nëse nuk i adresohen në mënyrë të rregullt linjave të marra do të sanksionohen. Udhëtarët me unifikim do të mund të njëjtat bileta t’i shfrytëzojnë edhe në autobusët e NTP dhe në autobusët e transportueseve privat. Përsërisim edhe njëherë se me dislokimin e linjave mes transportuesve nuk ndërpritem linjat, por përkundrazi në interes të përmirësimit të transportit janë vërtetuar bartësit e linjave, ashtu siç është parashikuar në vendim”, kanë thënë nga Qyteti i Shkupit.
Ndërkaq, transportuesit privat e kanë pritur me revoltë këtë lajm duke thënë se ditëve në vijim do të dalin me qëndrim nga ana e tyre.
Teuta Buçi /SHENJA/
Prej 1 janarit hiqen disa linja të NTP-së by tvshenjaofficial