Prej më 1 janar, çmimet e naftës do të rriten prej 3.5 denarë për shkak të akcizës së lartë të naftës. Kështu çmimi i Eurodiselit nga 1 janari duhet të arrijë në 58.5 denarë për litër.
Rritjen e çmimeve më keq e kanë pranuar taksi-vozitësit. Ata thonë se kjo rritje e naftës është e papërballueshme për ta, pasi do të shtohen harxhimet e tyre.
“Sa do të ndikojë, katastrofë, si mendojnë ata, a e dini sa është 3 denarë për ne, prej ku të marrë populli, pa punë? Fitim edhe ashtu nuk kemi pasur, e lëre më tani që do të rritet çmimi i naftës”,– tha një taksi-vozitës.
“Po, normal që ndikon, s’ka, më shtrenjtë se Europa, në Europë janë më lirë çmimet se këtu”,– u shpreh një taksi-vozitës.
“Me e rritur naftës nuk ke llogari edhe të punosh, sepse harxhimet janë të mëdha”,- theksoi një taksi-vozitës.
Nga qeveria arsyetohen se rritja e akcizës së naftës është me rekomandim të BE-së, ndërsa një nga arsyet për rritjen e akcizës është edhe destimulimi i përdorimit të diselit me qëllim që të zvogëlohet ndotja e ajrit. “Rekomandimet e BE-së janë që këto akciza duhet të jenë 0.33 eurocentë, ndërsa tek ne arrijnë 0.20 eurocentë. Me rritjen e çmimit do të duhet të shkojë në 0.26 eurocentë”,- thonë nga Qeveria për paralajmërimet e rritjes së akcizës së diselit. (Ersan Pajaziti, TVM2)