Një tjetër sukses i rëndësishëm në fushën e shkencës dhe inxhinierisë vjen nga studiuesi shqiptar Blerand Ramadani, punimi i të cilit është pranuar për prezantim në konferencën prestigjioze Open Source Modelling and Simulation of Energy Systems 2026 (OSMSES 2026), që do të mbahet më 23–25 mars 2026 në Karlsruhe, Gjermani.
Punimi me titull “Physics-Informed Digital Twin for Pre-Deployment Validation of LSTM-Based Wind Power Forecasting Models” trajton integrimin e Inteligjencës Artificiale me energjinë e erës, duke ofruar një qasje inovative për validimin e modeleve të parashikimit të prodhimit nga era përpara implementimit në terren.
Për më tepër, studimi do të publikohet në IEEE Xplore, një nga bibliotekat digjitale më prestigjioze në botë në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë. Publikimi në këtë platformë e vendos kërkimin në një nivel të lartë ndërkombëtar dhe e bën atë të aksesueshëm për komunitetin global shkencor.
Ky zhvillim përbën jo vetëm një arritje personale për Ramadanin, por edhe një dëshmi se potenciali akademik dhe inxhinierik shqiptar mund të konkurrojë denjësisht në skenën europiane. Në një kohë kur diskursi publik dominohet nga debatet politike, ky sukses shtron pyetjen thelbësore: a po i jepet vendi i merituar shkencës dhe inovacionit në prioritetet kombëtare?


