S A 2019-04-05T15:46:29+02:00
Mjekët nuk janë vegla pune e as aparaturë që të transferohen nga një vend në tjetrin për dhënien e shërbimeve shëndetësore. Në këtë mënyrë shoqata e mjekëve shqiptar kundërshton paralajmërimin e ministrit të Shëndetësisë për ndryshime ligjore të cilat do të mundësojnë që mjekët e mjekësisë primare që punojnë nëpër spitale, kryesisht pediatrit dhe gjinekologët të mund përmes rotacionit të shkojnë nëpër zona rurale dhe fshatra të thella malore.
Me Ligjin ekzistues, të gjitha vendet rurale janë të mbuluara për arsye se ka mjek të cilët i kanë marrë këta vende me koncesion dhe kanë një rrogë fikse prej 60 mijë denarësh. Ministri duhet të bëj Inspektimin e këtyre shoqatave, organizatave private shëndetësore nëse e bëjnë mbulesën e këtyre vendeve rurale apo jo. Është e vështirë që ministri të sjell këtë ndryshim sepse nuk ka bërë analizat e duhura dhe nuk është konsultuar me asnjë nga shoqatat joqeveritare që veprojnë në Maqedoni” -tha Nevzat Elezi, Shoqata e Mjekëve Shqiptar
Në të njëjtën vijë janë edhe përfaqësuesit e Sindikatës së të punësuarve në Qendrën Klinike. Kjo Sindikatë ka kundërshtuar ashpër këtë iniciativë edhe vite më parë kur e njëjta ishte iniciuar nga ish ministri i Shëndetësisë nga radhët e VMRO DPMNE-së Nikolla Todorov.
Oda e Mjekëve thotë se në kohën kur ikja e mjekëve është e lartë, kjo është ndër mënyrat e pakta për mbulimin e të gjitha pjesëve të vendit me shërbime shëndetësore, megjithatë thonë se edhe nëse një gjë e tillë hyn në fuqi, ajo duhet të rregullohet në interes të të gjitha palëve.
Me këtë koncept, potencojmë se nuk jemi të njoftuar zyrtarisht, por besojmë se ajo do të jetë marrëveshje me mjekët dhe angazhimi i tillë do të rregullohet, gjegjësisht të definohen angazhimet, dinamika dhe detyrimet për mjekët dhe ndaj mjekëve”. –u shprehën nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë
Nga Sindikata për Shëndetësi thonë për Alsat se do të reagojnë pas konsultimeve me mjekët, atëherë kur do të shihet nëse këta ndryshime do të paraqesin rëndesë të tepërt për mjekët dhe mjekët nuk do të mund të ju përgjigjen atyre detyrimeve.
Reagimet vijnë pasi Instituti i Shëndetit Publik ditë më parë shpalosi se shumë zona të thella malore dhe rurale të rajonit të Pollogut, Shkupit, Kumanovës dhe Strugës nuk kanë aspak qasje deri te shërbimet primare shëndetësore në zonat e tyre. Një gjë të tillë e pranoi edhe ministri i Shëndetësisë gjatë shënimit të ditës botërore të Shëndetit.
Vjollca Aliti
Loading…



