“Është një skenë tepër emocionuese. Dy shqiptarë takohen në Strugë. Njëri mban uniformën dhe stemën e Republikës së Shqipërisë, tjetri përfaqëson Republikën e Maqedonisë”. Është ky një tekst i shkruar me rastin e arritjes së patrullave policore shqiptare në Strugë dhe Ohër. Edhe pse ashtu siç është thurur, teksti me të vërtetë ngjall emocione, megjithatë është tekst manipulues, sepse skena nuk është aspak emocionuese, por poshtëruese. Pasi në Maqedoninë ku jetojnë së paku 35 për qind shqiptarë, policia shqiptare vjen me 5 vite vonesë pas policisë serbe, e cila bëri krime e masakra në tërë Ballkanin, ani pse serbët përbëjnë diku 3 për qind të popullsisë.
Kjo e dhënë e zhvleftëson krejtësisht edhe postimin e zëvendës ministrit të punëve të brendshme Agim Nuhiu, shkruar me rastin e ardhjes së patrullave policore shqiptare në Strugë dhe Ohër.
“Me pjesëtarë të efektivit të policisë së Shqipërisë që po patrullojnë për herë të parë në Ohër dhe Strugë. Ndjenjë vëllazërore!”, shkruan Nuhiu në Facebook, pa dhënë sqarim se pse partia e tij, BDI, mundësoi që policia serbe të vijë në Maqedoni gjashtë vite para asaj shqiptare.
Për këtë arsye shumë komentues në facebook kanë vlerësuar se policia shqiptare nuk do të vinte ende në Maqedoni, sikur BDI e Agim Nuhiut të mos përgjysmohej në zgjedhjet e fundit , parti e cila vazhdon të jetë pjesë e qeverisë në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje edhe policët e Maqedonisë janë duke patrulluar në Sarandë.

