Banorët e fshatit Poroj të Tetovës janë ankuar se rruga që u bllokua nga vërshimet si pasojë e rrëshqitjes së dheut dy muaj më parë vazhdon të pengojë qarkullimin e tyre. Banorët shprehen të revoltuar nga siç thonë neglizhenca e komunës e cila ka lënë përgjysmë punimet për pastrimin e rrugës drejt fshatit Xhermë.
Ishin këtu, hoqën ca dhe, ja kështu siç e shihni e lanë në gjysmë. Biseduam me bageristin, na tha se kaq duhet të heqim dhe vetëm 40 maune dhe e lanë. E kanë lënë edhe më keq se sa që ishte. Më mirë ta kishin lënë ashtu, por jo, erdhën e nxorën gjithën në rrugë dhe e lanë…
Dy muaj rri kështu, kjo pengon tepër, nuk jemi vetëm neve, lëvizin këtu edhe këta të Xhermës krejt, por tani hyjnë nga ajo ana andej. Në fillim mori nismë që ta heq vetë zotëria, por e ndaluan, thanë që do vinë ta heqin këta të komunës dhe mbeti kështu – thonë banorët.
Por nga Komuna e Tetovës deklaruan se punimet në këtë rajon nuk do të vazhdojnë për aq kohë sa nuk thahet toka tërësisht.
“Intervenimi në atë vend nuk mund të bëhet derisa dheu është i lagur sepse rrëshqitja e dheut do vazhdojë dhe do rrezikojë edhe më tej shtëpitë për rreth”.
Për pasojë të bllokimit të rrugës kryesore, banorët e fshatit Xhermë kalojnë në këtë pjesë që është tokë private. Banorët druajnë se nëse kjo nuk zgjidhet në kohë, mund të vij edhe deri në konflikt sepse përveç rrugës kryesore, tani dëmtohet edhe prona private.
Dy muaj më parë si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në këtë rajon erdhi deri të rrëshqitja e dheut, ndërsa përveç rrugëve në fshatin Poroj, u dëmtuan edhe shtrati i lumit Ponika në Dobrosht dhe rruga rajonale Tetovë-Jazhincë.
/Alsat-M/