Në rajonin më të gjerë të Tetovës dhe Gostivarit, gjatë kësaj jave dukshëm është rritur frekuentimi i përgjithshëm në trafik, që është karakteristike për gjysmën e dytë të muajit korrik. Dinamika e rritur nëpër rrugë, krahas tjerave është edhe shkaktarë për ndodhjen e aksidenteve të trafikut, ku më së shumti si rezultat i shpejtësisë së papërshtatshme, gjegjësisht vozitjes së shpejtë, parakalimit të parregullt dhe mosmbajtjes së anës. Gjatë ditës së martë, në këtë rajon kanë ndodhur gjithsej 12 aksidente, me 24 persona të lënduar. Vetëm tre nga aksidentet kanë përfunduar me dëme materiale, derisa në të gjitha tjerat – pasojat kanë qenë më serioze.
Duke marrë parasysh se ditëve në vijim do të rritet edhe më shumë frekuenca e veturave, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë përsëri apelon deri te vozitësit të respektojnë shenjat e komunikacionit, të respektohen rregullat dhe dispozitat ligjore, dhe tu përmbahen urdhrave dhe udhëzimeve të pjesëtarëve të policisë. Sipas policisë, edhe gjatë ditëve në vijim do të rritet numri i automjeteve të këtilla, prandaj policia apelon për më shumë kujdes sidomos në rrugët regjionale dhe ato më të frekuentuara brenda në qytet. Më tej, nga Policia e Tetovës, apelojnë që gjatë kohës së vozitjes të mos përdoret alkool.
“U këshillohet vozitësve që të mos konsumojnë alkool gjatë kohës kur drejtojnë automjetin, të mos vozisin kur janë të lodhur, dhe në kohë të bëjnë kontrollin teknik të automjetit, sidomos nëse udhëtojnë në relacione më të gjata. Në ndërkohë, nëse ndodhin aksidente me dëme më të vogla materiale, pjesëmarrësve u rekomandohet që sa më shpejtë të përgatisin të ashtuquajturin ‘raport evropian’ dhe të largojnë veturat nga rruga që të mos pengojnë qarkullimin e lirë të automjeteve. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me aksidentet ku marrin pjesë veturat me targa të mërgimtarëve, veturë që nuk është e regjistruar, apo ai që qarkullon automjetin pa leje për qarkullim, por për të gjithë pjesëmarrësit pa dallim”, thonë nga Policia e Tetovës.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, gati se në masë të madhe i ka përforcuar aktivitetet preventive dhe kontrolluese, ku në qendër të vëmendjes janë shpejtësia, drejtimi pa leje për vozitje, gjendja teknike e veturave pjesëmarrëse në trafik, si dhe parkimi jo i rregullt. Të gjithë kundërvajtësit që do të zbulohen gjatë këtyre aktiviteteve, do të ballafaqohen me fletëpagesa të detyrueshme dhe për kundërvajtje. Sanksionet e parapara me ligj, gjegjësisht gjobat lëvizin prej 20 deri 400 euro, në kundërvlerë të denarit, si dhe masa mbrojtëse “ndalesë” në kohëzgjatje prej 3 deri 12 muaj.
Qyteti i Tetovës zakonisht gjatë muajve të verës pothuajse paralizohet tërësisht kur edhe dyfishohet numri i veturave që marrin pjesë në komunikacion. Ardhja e mërgimtarëve me vetura në vendlindja dukshëm rrit frekuentimin në rrugët e Tetovës, në të cilët komunikacioni zhvillohet me shumë vështirësi. Periudha që pason pritet të jetë edhe më vështirë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje kur në rrugët e Tetovë ka me mijëra vetura. Të gjitha rrugët në periudhën e verës janë të paralizuara dhe të bllokuara nga numri i madh i automjeteve në rrugë të ngushta në qytetin e Tetovës. Ditëve të fundit haset në më shumë vështirësi nga ana e vozitësve në dalje të Tetovës për në Jazhincë, ku krijohet një kaos i vërtetë për shkak të numrit enorm të veturave por edhe automjeteve të rënda që qarkullojnë në këtë aks rrugor për në komunën e Tearcës dhe në vendkalimin kufitar Jazhincë. /koha.mk/