Lideri i Reform UK, Nigel Farage, ka propozuar që të burgosurit e huaj në Britani të dërgohen për të vuajtur dënimet jashtë vendit, me synimin që të lirohen hapësira në burgjet britanike dhe të hiqet skema e lirimit të parakohshëm.
Farage ka bërë të ditur se partia e tij po shqyrton mundësinë e marrjes me qira të hapësirave në burgje në vende të treta. Ndër shtetet e përmendura si mundësi janë Kosova dhe El Salvadori, ndërsa më pas Farage tha se mund të shqyrtohen edhe Estonia dhe Lituania, shkruan BBC
Sipas planit të Reform UK, shtetasit e huaj që dënohen me masa që nuk përfshijnë burgimin do të deportoheshin në vendet e tyre të origjinës. Ndërsa ata që dënohen me burg do ta vuanin të gjithë dënimin në shtetin e tyre, ose në një vend të tretë që do të ofronte hapësira të burgjeve me qira.
Partia pretendon se largimi i shtetasve të huaj nga burgjet britanike, së bashku me ndërtimin e burgjeve të përkohshme, do të krijonte hapësirë të mjaftueshme për ndryshimin e ligjeve të dënimeve, në mënyrë që kriminelët e rrezikshëm të mos lirohen para përfundimit të dënimit.
Farage përmend Kosovën si mundësi për burgjet
Kosova është përmendur nga Reform UK si një prej vendeve ku mund të dërgohen të burgosur të huaj për vuajtjen e dënimeve.
Një model i tillë mes Britanisë dhe Kosovës do të ishte i ngjashëm me një marrëveshje që Kosova ka lidhur me Danimarkën.
Në vitin 2021, Danimarka ra dakord t’i paguante Kosovës një tarifë vjetore prej rreth 12.8 milionë paundësh për një periudhë fillestare pesëvjeçare, për të marrë me qira 300 vende në burgjet e Kosovës.
Ky kapacitet ishte paraparë për të burgosur të huaj që vuajnë dënime në Danimarkë.
Farage ka argumentuar se një marrëveshje e ngjashme me vende të tjera do t’i mundësonte Britanisë të lironte mijëra hapësira në burgjet e saj.
Në rastin e El Salvadorit, Farage ka thënë se kostoja e strehimit të një të burgosuri të huaj atje do të ishte rreth gjysma e kostos së mbajtjes së tij në Britani.
Reform UK thotë se marrëveshjet e tilla do të kërkonin që vendet pritëse të respektonin standardet britanike për madhësinë e qelive, ndriçimin, ngrohjen, ventilimin dhe pajisjet, si dhe të garantonin kohë të përditshme në ambient të hapur.
Pas përfundimit të dënimit, të burgosurit e huaj do të ktheheshin në vendet e tyre të origjinës dhe do të ndaloheshin të riktheheshin në Britani.
Mbi 10 mijë shtetas të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit
Në fund të qershorit, në burgjet e Anglisë dhe Uellsit ndodheshin 10,134 shtetas të huaj, që përbënin rreth 12 për qind të të gjithë të burgosurve.
Reform UK pretendon se propozimi i saj për transferimin e të burgosurve të huaj do të lironte më shumë se 10 mijë vende në burgjet britanike.
Megjithatë, dokumenti i politikave të partisë nuk sqaron nëse plani do të përfshinte edhe personat që ndodhen në paraburgim dhe presin gjykimin.
Ndërkohë, qeveria britanike po përballet me presion për shkak të mbipopullimit në burgje dhe skemës së lirimit të parakohshëm. Skema e re pritet të nisë në tetor, me rreth 5 mijë të burgosur që pritet të lirohen në fazën e parë.
Reform UK ka propozuar gjithashtu ndërtimin e 12,400 vendeve të reja në burgje të përkohshme, të njohura si “Nightingale prisons”, me një kosto të parashikuar prej 5 miliardë paundësh.
Partia pretendon se këto masa do të krijonin rreth 22 mijë vende shtesë dhe do t’i mundësonin një qeverie të udhëhequr prej saj që kriminelët e rëndë të vuajnë dënimet e plota.
Qeveria britanike e ka kundërshtuar propozimin, duke e cilësuar atë jo si një plan serioz për sistemin e burgjeve dhe duke argumentuar se marrëveshjet për marrjen me qira të burgjeve jashtë vendit do të kërkonin vite për t’u realizuar.



