Në emisionin e Radio Lider “Espreso me Zllatevin dhe Bocevskin” që u transmetua më 08.03.2023, prezantuesi Lupço Zllatev ka paraqitur informacion të pasaktë se në Qeverinë aktuale ka vetëm 4 gra, më së paku në histori. “Aty ku nuk ka kuota, e ajo është Qeveria e RM, nga sa, nga 21 anëtarë të Qeverisë së vendit tonë, vetëm 4 janë gra, pra më pak se 20%…Sot kemi një situatë, mendoj se kaq pak gra në një Qeveri nuk ka pasur në histori”.
Është e saktë se qeveria aktuale ka 21 anëtarë, por nuk është e vërtetë se vetëm katër janë gra, por pesë: Zëvendëskryeministrja Gërkovska, ministrja e Mbrojtjes Petrovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Trençevska, ministrja e Kulturës Kostadinovska – Stojçevska, dhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Shukova.
Nuk është i vërtetë as pretendimi i Zllatevit se kaq pak gra në një qeveri nuk ka pasur në histori. Në qeverinë eksperte të vitit 1991 nuk ka pasur asnjë ministre. Në qeveritë e viteve 1992 dhe 1994 ka pasur dy ministre. Në qeverinë e vitit 1998 ka pasur katër ministre, në qeveritë e vitit 2002 dhe 2004 nga dy ministre, e në qeveritë e vitit 2004 dhe 2006 tri ministre. Në qeverinë e dytë të Gruevskit nga viti 2008-2011, në të cilën bashkëprezantuesi i emisionit Bocevski ishte zëvendëskryeministër, kishte vetëm dy ministre femra. Dy ministre ka pasur edhe në Qeverinë e fundit të rikonstruktuar të Gruevskit në maj të vitit 2015. Në Qeverinë e Zaevit të vitit 2017 ka pasur katër ministre, ndërsa në qeverinë teknike të Spasovskit 6 ministre.
Prandaj, nuk është e vërtetë se qeveria aktuale ka më pak gra në histori. Edhe pse numri i 5 ministreve në qeverinë aktuale prej 21 anëtarëve është tregues i pabarazisë gjinore, ajo prapëseprapë ka numër më të madh të grave në historinë e qeverive politike pas pavarësisë.