Dy të mitur janë ndaluar nga policia nën dyshimin për përfshirje në kontrabandë me emigrantë në hyrje të Gjevgjelisë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për një 15 dhe një 16-vjeçar, të cilët u kapën duke transportuar emigrantë nga Egjipti me automjetin e tyre.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë vonë, kur policia ka ndaluar automjetin e tipit “Fiat Stilo” të drejtuar nga një 15 vjeçar, ndërsa një 16-vjeçari tjetër ishte bashkudhëtar.
Sipas policisë, në automjetin e tyre janë gjetur pesë emigrantë nga Egjipti, dy prej të cilëve kanë qenë të mitur. Emigrant i gjashtë, 22-vjeçar, i dyshuar si udhëheqës i grupit, është arrestuar më vonë.
Në kuadër të hetimeve, nga MPB thonë se policia ndaloi edhe një automjet të dytë në Shtip, ku kanë arrestuar edhe dy persona tjerë, përfshirë edhe një tjetër 16 vjeçar.
Nga MPB thonë se të gjithë të dyshuarit janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të ketë kallëzime përkatëse.


