Kryengritje nga mbështetësit e Bolsonaros, mbi 400 të arrestuar
Policia braziliane ka rimarrë kontrollin e Kongresit, pasi mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro e sulmuan atë. Nga kaosi i shkaktuar nuk ka raportime për viktima apo të lënduar, por dëmet janë të mëdha, ku një pjesë e madhe e xhamave, dritareve, dyerëve dhe mobiljeve janë shkatërruar.
Policia fillimisht ishte “shumë e durueshme” dhe “jo shumë agresive” me protestuesit në Brasilia përpara se të ndodhte sulmi, thuhet nga raportimet e mediave braziliane.
Carlos Alexandre de Souza, redaktor politik i gazetës, “Correio Braziliense”, thotë se oficerët u përpoqën të mbanin turmat larg ndërtesave të qeverisë federale dhe t’i pengonin ata të “shkatërronin gjithçka”.
Por ai i tha programit Today të BBC Radio 4 se policia po punon ende për t’i mbajtur njerëzit larg ndërtesave që u sulmuan, pasi shumë përpiqen të shohin dëmet që janë shkaktuar.
“Policia lokale mori shumë kohë për të kontrolluar situatën dhe ka pasur shumë pasoja që prej fillimit të protestës” thotë de Souza.
Ndryshe, presidenti i Brazilit Lula da Silva inspektoi pallatin presidencial, Gjykatën e Lartë dhe Kongresin për të vlerësuar dëmet pas sulmit të dhunshëm. Gjykata e Lartë e Brazilit shkarkoi gjithashtu edhe guvernatorin e Brasilias nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë e kryeqytetit. Nga Florida, ku ndodhej, Bolsonaro hodhi poshtë akuzën, se ishte ai nxitësi, duke thënë në një postim në Tëitter se demonstratat paqësore ishin demokratike, por pushtimi i ndërtesave qeveritare “kaloi kufirin”.