Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Seksioni i specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, kundër Z.S., zyrtar policor në SPB-Tetovë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “zbulim i sekretit zyrtar”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 360 paragrafi 1 i Kodit Penal.
I raportuari, si person zyrtar – polic, gjatë viteve 2023 dhe 2024, ka siguruar të dhëna që përbëjnë sekret zyrtar, duke pasur qasje në buletinin e ngjarjeve ditore të MPB-së si dhe në planet shtesë për kontrolle të planifikuara në aksione ndaj kazinove dhe objekteve hotelierike, të planifikuara dhe të realizuara nga zyrtarë policorë të SPB Tetovë, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Inspektoratit të Tregut dhe Inspektoratit të Punës.
Të dhënat e përfituara i ka bërë të disponueshme për një person fizik të punësuar në një kazino.