Me rregulloren e re të miratuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, policëve tash më u lejohet të mbajnë mjekër dhe tatuazhe. Sipas ndryshimeve, policëve dhe punonjësve të uniformuar u lejohet të mbajnë mjekër, por ajo duhet të jetë e rregullt, e shkurtër, e mirëmbajtur dhe të mos pengojë përdorimin e pajisjeve zyrtare, përfshirë maskat mbrojtëse.
Mustaqet nuk guxojnë të kalojnë vijën e buzës së sipërme, ndërsa nga stolitë lejohet të mbahet vetëm unaza. Rregullorja e re parasheh gjithashtu që policët mund të kenë tatuazhe në pjesët e sipërme të gjymtyrëve, përkatësisht në duar, me kusht që ato të mos jenë me përmbajtje fyese, raciste ose vulgare që mund të përbëjnë shqetësim për qytetarët ose të dëmtojnë imazhin e institucionit.
Por si i komentojnë qytetarët këto rregulla të reja për policët? Disa thonë se mjekër duhet të mbajnë vetëm klerikët fetar dhe artistët e disa të tjerë kujtojnë kohen e ushtrisë kur për mos rruajtje të mjekrës janë larguar nga rreshtimi ushtarak.
Polici duhet të jetë pa mjekër e as me tatuazhe nuk bën jo. Nuk ngjan që polici të ketë mjekër e me tatuazhe jo. ”Nuk duhet jo. Mjekër dihet kush duhet të mbaje, hoxhallarët dhe artistët por tani çdokush me mjekër edhe ai që nuk ka aspak shkollë.” tha një qytetar.
”Nuk është në rregull, polici me tatuazh e me mjekër nuk i ngjajnë një personi që është në detyrë e me mjekër. “Ai nuk i ngjanë policit pasi ai duhet t’i ketë rregullat e veta. Siç është një punëtor administrativ që ka kodeksin e veshjes edhe polici duhet të ketë pamje siç duhet.” tha një qytetar.
”Në atë kohë jo s’ka pas mjekra. Edhe po të mos ishe rruar të detyronin të rruash mjekrën apo të mos ishe i pastruar, kundrat apo teshat apo po mos e kishe përshëndetjen siç duhet të dënonin. E tani? Në të gjitha anët janë lazdruar, qoftë në ushtri apo gjithandej. Nuk është ajo që ka qenë. tha një qytetar.
Me ndryshimet e miratuara, Ministria e Punëve të Brendshme, ka rregulluar edhe përdorimin e telefonave privatë celularë gjatë orarit të punës. Të punësuarit do të mund të zhvillojnë biseda të shkurtra private, për aq kohë sa ato nuk pengojnë kryerjen e detyrave. Rregullorja e re ka hyre në fuqi nga fillimi i këtij muaji./Alsat.mk


