Numri i pacientëve, të cilët pranohen në spitale po zvogëlohet, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili pret që masat e reja kufizuese, që do të vlejnë deri më 20 janar, do të japin rezultate dhe më të mira, por edhe se qytetarët me ndërgjegjen e tyre duhet seriozisht t’u ndihmojnë punonjësve shëndetësorë.
Në repartet infektive dhe kovid-qendrat në spitale, sipas statistikës së djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, po trajtohen 1238 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë në koronavirus – 470 janë në Shkup dhe 768 në spitalet në qytete tjera. Prej 470-të të hospitalizuarve në kryeqytet, 186 shtrihen në kovid-qendrat në klinikat interne, 144 në Klinikën infektive, 102 në SPQ “8 Shtatori” dhe 38 në Institutin për sëmundje të mushkërive tek fëmijët – Kozle.
Për 24 orë, sipas, sipas të dhënave prej dje, në Kovid qendrat në Shkup janë hospitalizuar 36 pacientë, për shkak të komplikimeve nga koronavirusi. Në klinikat interne janë pranuar 14, ndërsa në SPQ “8 Shtatori” dhe në klinikën infektive nga 11 pacientë të rinj. Në shërim shtëpiak, megjithatë, janë lëshuar 39 pacientë të shëruar nga spitalet e Shkupit.
Sipas informatës së Ministrisë së Shëndetësisë prej dje, ka rreth 270 shtretër të zbrazëta spitalore në kovid-qendrat, por ky numër, siç tha, është i ndryshueshëm nga çasti në çast, pasi gjatë ditës ka pranime, por edhe largime të pacientëve të shëruar, me çka lirohen shtretër shtesë.
Nga Instituti për mjekësi transfuziologjike informojnë se janë siguruar gjithsej 502 njësi plazmë rikuperuese për trajtim të pacientëve të infektuar me Kovid-19, prej të cilëve 399 njësi janë siguruar përmes dhurimit standard dhe 103 njësi plazmë rikuperuese, përmes procedurës së aferezës nga gjithsej 48 dhurues. Gjithsej 449 dhurues kanë dhuruar plazmë, me të cilën janë trajtuar mbi 400 pacientë me Kovid-19.
“Në këto momente senzitive, me rëndësi është ta tregojmë humanitetin tonë dhe të dhurojmë plazmë, pasi ajo shkon në vend të duhur – aty ku është e domosdoshme dhe me këtë mundësohet të shpëtohet një jetë e dikujt. Në këtë mënyrë dhe me këtë akt më të lartë të humanitetit, qytetarët të cilët janë shëruar u ndihmojnë personave, të cilët në këtë moment luftojnë me koronavirusin. Përmes plazmës së dhuruar rikuperuese, antitrupat e pacientëve të shëruar shfrytëzohen në shkatërrimin e sëmundjes te perosni tjetër me Kovid-19”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mbrëmë u takua me ambasadoren jorezidente të Republikës së Lituanisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Zagreb Jurate Ragukjene, e cila me këtë rast dorëzoi ndihmë humanitare mjekësore, një donacion nga Qeveria e Republikës së Lituanisë për t’u ballafaquar me virusin Kovid-19, që përbëhet nga kostume, maska dhe produkte higjienike.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 815 raste të reja me Kovid-19 nga 2.664 testimet e bëra. Kanë vdekur 20 persona, ndërsa janë shëruar 396 pacientë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Numri përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vendin tonë, që nga fillimi i epidemisë arrin në 77.949, numri i pacientëve të shëruar është 53.345, të vdekurve 2.274, ndërsa numri i rasteve aktive në vend është 22.330. Deri tani në vend janë bërë gjithsej 379.229 testime të Kovid-19.




