Do të punësohen gjithsej 120 infermiere në të gjitha klinikat ku ka mungesë të stafit, deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Deklarata e tij vjen si pasojë e informatave se Reparti i Hematologjisë në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, është mbyllur, pikërisht për shkak të mungesës së stafit. Ministri pohon se reparti u mbyll që të mos lejohet ndonjë improvizim.
“Mungesa e infermiereve më së shumti është vërejtur gjatë periudhës së kaluar. Kemi bërë një analizë me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe identifikuam një numër të madh të infermiereve që janë pa punë. Kështu që, besoj se do të gjejmë staf i cili do të punojë në këto reparte. Nga ana tjetër, reparti u mbyll për të mos lejuar të ndodhë ndonjë improvizim, derisa nuk ka njerëz të mjaftueshëm”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Nga Oda e Mjekëve, thonë se është e nevojshme që urgjentisht që miratohet Ligji i ri për mbrojtje shëndetësore dhe për rritjen e rrogave, por edhe të kompensimeve për kujdestaritë e mjekëve dhe stafit mjekësor.
“Do të bisedojmë për pagat e mjekëve edhe për kujdestaritë, për rregullimin e kujdestarive dhe për të gjitha problemet tjera me të cilat po hasen mjekët në punën e tyre”, u shpreh Ylber Besimi, oda e mjekëve.
Pothuajse të gjitha institucionet shëndetësore po përballen me mungesë të stafit. Problemi më i madh janë infermieret. Spitali i Qytetit “8 Shtatori” në disa raste ka qenë i detyruar që ta përgjysmojë kapacitetin e tij.

