Edhe pse kaloi më shumë se një vit nga Marrëveshja e Prespës, fqinji ynë jugor ende nuk i ka zëvendësuar tabelat, deklaroi kryetari i PLD-së, Goran Milevski në takimin e sotëm të të rinjve të kësaj partie. Ai paralajmëroi se në seancën e parë të qeverisë do t’i sugjerojë ministrit të jashtëm, Nikolla Dimitrov të kërkojë nga qeveria greke që ta respektojë Marrëveshjen e Prespës.
“Mendojmë se Qeveria dhe Kryeministri e kanë lëshuar mundësinë e parashikuar me Marrëveshjen, që ata të jenë partnerë strategjik të Maqedonisë dhe të bëhen vota jonë në NATO dhe BE. Për këtë gjë heshti Micotakis në Samit. Ai nuk ndikoi dhe nuk loboi mjaftueshëm që Maqedonia të marrë datë. Ne me keqardhje duhet të konstatojmë se një pjesë e Marrëveshjes së Prespës nuk është respektuar. Duke u kthyer nga Athina nuk pamë asnjë tabelë me emrin e ri Maqedonia e Veriut, por tabelat ende janë me emrin nënçmues Skopia”, tha Goran Milevski, kryetar i PLD-së.
Emil Kirjas tha se brenda tekstit të Rezolutës së liberalëve evropian, thuhet se pakoja për Maqedoninë dhe Shqipërinë duhet të ndahet.
“Kjo u konfirmua edhe me rezolutën e miratuar unanimisht e cila rikujton se qëndrimi i liberalëve evropian është se deri në fund të këtij viti duhet të mbahet Konferenca e parë ndërkombëtare për fillim të negociatave për anëtarësi të plotfuqishme të vendit tonë në BE-në. Ajo që është shumë e rëndësishme është se brenda tekstit konfirmohet se secili vend duhet të vlerësohet veçmas”, deklaroi Emil Krijas nga PLD.
Përndryshe, Milevski i pyetur se si do të veprojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, tha se ende nuk kanë vendosur, për shkak se, siç theksoi, kjo varet nga ajo nëse do të shkohet me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Por, në qoftë se nuk arrihet konsensus në lidhje me këtë, tha se do të kërkojnë 6 njësi zgjedhore, por me lista të hapura./TV21